Media, është një nga elementët e domosdoshëm të demokracisë, duke ndriçuar publikun me informacion të saktë, objektiv, të paanshëm dhe pa paragjykime, shkruan në rrjetin social X, Drejtori i Drejtorisë së Komunikimeve të Türkiyes, Fahrettin Altun.
“Të gjithë gazetarët që punojnë në dritën e së vërtetës dhe në përputhje me parimet e etikës profesionale duhet të konsiderohen anëtarë të një profesioni shumë të respektuar”, shkruan Altun.
Përderisa lëmë pas 100-vjetorin e Republikës sonë dhe arrijmë Shekullin Turk nën udhëheqjen e Presidentit tonë, z. Recep Tayyip Erdoğan, ai thekson se “anëtarët tanë të medias luajnë një rol të rëndësishëm në shpalljen e përparimeve që ka bërë vendi ynë në shumë fusha, si dhe arritjet ndërkombëtare”.
“Në një mjedis ku mundësitë e komunikimit po përmirësohen dita-ditës dhe aksesi në informacion po bëhet më i lehtë, e gjithë bota ndien nevojën për të pasur qasje në informacionin e saktë në formën e tij më të pastër dhe më të thjeshtë”, thotë Altun.
Një nga problemet më të rëndësishme të botës së sotme sipas tij është “kriza e së vërtetës”, dhe në këtë kontekst, fushatat e vazhdueshme dezinformuese janë kthyer në një sfidë të madhe.
“Në një atmosferë të tillë, ne i konsiderojmë gazetarët që kanë marrë përsipër të pasqyrojnë të vërtetën dhe që janë të përkushtuar ndaj parimeve etike dhe gazetareske, si dhe vendosmërinë e tyre për të punuar si një nga shtyllat tona më të forta. Ne e shohim ruajtjen e një kulture të drejtë mediatike në vendin tonë dhe ndërkombëtarisht si një nga elementët e domosdoshëm të një bote më të begatë dhe paqësore”, shprehet Altun.
Fatkeqësisht, ai shton se ngjarjet e ndodhura në Gaza që nga 7 tetori zbulojnë se gazetarëve, të cilët kryejnë një detyrë jashtëzakonisht kritike për njerëzimin iu është hequr e drejta e jetës, e lëre më liria e shtypit dhe e drejta për të marrë informacione.
“Me keqardhje them se më shumë se 100 gazetarë humbën jetën dhe shumë pjesëtarë të shtypit u plagosën në sulmet e Izraelit në Gaza. Me këtë rast, uroj mëshirën e Zotit për të gjithë gazetarët që humbën jetën në krye të detyrës, veçanërisht në Gaza”, shkruan Altun.
Si Drejtori i Komunikimeve të Presidencës, ai paralajmëroi se do të vazhdojnë të mbrojnë të drejtat dhe ligjet e anëtarëve të shtypit, të lehtësojmë jetën e tyre profesionale dhe t'i mbështesim ata në kryerjen e një pune shembullore në gjithë botën, siç bëjnë sot.
“Me këto ndjenja e mendime, ata që punojnë me shumë përkushtim ditë e natë dhe përpiqen ta përmbushin profesionin e tyre me parimin e së vërtetës përgëzoj të gjithë gazetarët që nuk bëjnë kompromis për saktësinë, drejtësinë dhe objektivitetin për “10 Janarin, Ditën e Punës së Gazetarëve” dhe i uroj suksese në punën e tyre”, thekson ai.