Shefi i Drejtorisë së Komunikimeve të Presidencës së Republikës së Türkiyes, Fahrettin Altun, tha se kërkesa globale për serialet televizive turke është rritur për 183 për qind në tri vitet e fundit.
"Sot, pothuajse një miliard njerëz në mbarë botën shikojnë serialet turke dhe ky është një faktor shumë i rëndësishëm. Në të vërtetë, kur e shikojmë nga ky këndvështrim, jemi përpara një suksesi të vërtetë", tha Altun në promovimin zyrtar të serialit të ri të TRT-së, "Mehmedi: Sulltani i Çliruesve".
Në fjalimin e tij në ceremoninë në Qendrën e Kongreseve Halic në Istanbul, ai tha se ky serial është një projekt i madh dhe një investim i rëndësishëm.
Altun tha se shpreson që seriali i ri do të kontribuojë ndjeshëm në industrinë e kulturës popullore të Türkiyes, në trashëgiminë kulturore dhe jetën e botueseve.
Ai theksoi se seriali fokusohet në arritjet e Sulltan Mehmed Fatihut, veçanërisht në çlirimin e Istanbulit dhe e portretizon atë si një sundimtar që transformoi dhe institucionalizoi Perandorinë Osmane.
“Rritja e fundit dhe investimet në serialet dhe kinemanë turke kanë kontribuar në markën turke”, tha ai.
Në ceremoni foli edhe drejtori i përgjithshëm i TRT-së, Zahid Sobaci. Në këtë ngjarje performoi grupi Mehter dhe Altun me të ftuarit ndoqën episodin e parë të serialit.