Kreu i Komunikimeve të Presidencës së Türkiye-s (Turqisë), Fahrettin Altun     Foto:AA

Kreu i Komunikimeve të Presidencës së Türkiye-s (Turqisë), Fahrettin Altun tha se "Nuk është korrekte të lansohet memorandumi trepalësh i nënshkruar në Madrid si anëtarësim. Ne do të vlerësojmë me shkrim se deri në çfarë mase Finlanda dhe Suedia përmbushin angazhimet e tyre".

Altun iu përgjigj pyetjeve të “Helsingin Sanomat”, një prej gazetave kryesore finlandeze, në lidhje me memorandumin trepalësh të nënshkruar në Samitin e Liderëve të NATO-s në Madrid.

Duke shpjeguar se diplomacia është arti i gjetjes ose krijimit të pikave ku kryqëzohen interesat e shteteve, Altun tha se në Madrid u nënshkrua një memorandum midis Türkiye-s, Finlandës dhe Suedisë dhe se Ankaraja mori atë që donte nga procesi i negociatave.

Ai tha se që në fillim të procesit Türkiye nuk ka pasur ndonjë kundërshtim kategorik për zgjerimin e NATO-s. Altun shtoi se Türkiye pret një angazhim konkret nga vendet që duan të anëtarësohen në NATO që të ndajnë vlerat dhe qëllimet e Aleancës.

Altun theksoi se pritshmëria e tyre më e rëndësishme është të parandalojnë aktivitetet e propagandës, rekrutimit dhe financimit të PKK-së, degës siriane të kësaj organizate terroriste, YPG-së dhe FETO-s, të cilët tentuan grusht shteti në Türkiye dhe vranë 251 njerëz të pafajshëm.

"Mbështetja politike, financiare apo ushtarake ndaj këtyre organizatave përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për jetën dhe pronën e qytetarëve turq. Në të njëjtën kohë, ne deklaruam hapur se këto dy vende që duan të bëhen anëtarë të NATO-s, Aleancës më të rëndësishme ushtarake në histori, nuk mund të vendosin asnjë embargo armësh ndaj Türkiye-s, e cila ka ushtrinë e dytë më të madhe në NATO. Pas nënshkrimit të një memorandumi, ne e kuptojmë se Finlanda dhe Suedia e kanë të qartë se sa seriozë dhe të vendosur jemi në luftën kundër terrorizmit", tha Altun.

I pyetur se cila ishte çështja më e vështirë në negociata, Altun tha se siç u shpreh presidenti Recep Tayyip Erdoğan, Türkiye i qaset anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në NATO nga një perspektivë parimore dhe holistike.

Anëtarësimi në NATO është privilegj


Duke shpjeguar se po shqyrtonin nëse Finlanda dhe Suedia do të anëtarësoheshin në NATO, pjesë e së cilës Türkiye është prej 70 vitesh, Altun tha se Ankaraja ndante hapur pritshmëritë e saj me këto vende.

Ai tha se nuk e shohin këtë proces si kapituj të veçantë. "Për shembull, ne nuk do të bënim asnjë lëshim në një skenar ku u ndërmorën hapa në luftën kundër terrorizmit, por sanksionet vazhduan. Po kështu, ishte e pamundur që ne të tregonim ndonjë fleksibilitet në lidhje me terrorizmin. Në këtë aspekt, të gjitha çështjet u trajtuan me peshë të barabartë në negociata", tha Altun.

Kur u pyet nëse Türkiye ka hequr dorë nga ndonjë prej kërkesave të saj, Altun tha: "Jo. Ne kemi bërë kërkesa mjaft legjitime. Në një skenar ku këto kërkesa nuk plotësohen, çdo përparim në kërkesat për anëtarësim të Finlandës dhe Suedisë do të rrezikonte drejtpërdrejt NATO-n. Nuk bëhej fjalë që ne të bënim ndonjë lëshim”.

Në pyetjen se "A mund të presë Finlanda që Türkiye të miratojë pranimin e saj në NATO pa vonesë?", Altun tha: "Nuk është korrekte të lansohet memorandumi trepalësh i nënshkruar në Madrid si anëtarësim. Ne do të vlerësojmë me shkrim shkallën në të cilën Finlanda dhe Suedia përmbushin angazhimet e tyre. Anëtarësimi në NATO nuk është meritë, por privilegj. Shtetet që duan të kenë këtë privilegj duhet të plotësojnë disa kushte. Në këtë kontekst, është e rëndësishme që YPG dhe FETO si dhe PKK të njihen si organizata terroriste në tekst. Tani, përgjegjësia e këtyre dy vendeve është të mbajnë premtimet e tyre".

Ekstradimi i terroristëve

Kreu i Komunikimeve të Presidencës, Altun tha se anëtarët e organizatës, të cilët u paraqitën si viktima para popullit finlandez, treguan fytyrat e tyre të vërteta muajt e fundit pa lënë vend për dyshime.

Duke kujtuar se pamjet e anëtarëve të organizatës terroriste PKK/YPG që sulmojnë finlandezët u shfaqën kohët e fundit në Helsinki, Altun tha: "Është e qartë se këta njerëz nuk kujdesen për interesat e Finlandës dhe nuk ndajnë vlerat e vendit tuaj. Autoritetet finlandeze duhet të ndërmarrin hapa për të respektuar angazhimet e tyre dhe për të mbrojtur qytetarët e tyre nga ky kërcënim".

Ai potencoi se Türkiye i ka shprehur qartë pritshmëritë e saj si në takime zyrtare ashtu edhe në deklarata publike. Altun tha se e rëndësishme këtu është që të ndërmerren hapat e nevojshëm në luftën kundër terrorizmit. "Se si do të ndërmerren këto hapa është çështje e qeverisë finlandeze. Ne shohim rezultatin", tha Altun.

Në vazhdim Altun kujton se Finlanda dhe Suedia kanë marrë angazhime me shkrim në lidhje me ekstradimin e anëtarëve të organizatës terroriste. "Türkiye ndau informacionin e nevojshëm për anëtarët e organizatës terroriste me autoritetet e dy vendeve. Çështja e ekstradimit të terroristëve sigurisht që do të jetë një provë për sinqeritetin e shteteve përkatëse. Do të ishte kundër frymës së Aleancës ofrimi i strehimit të sigurt i njerëzve që po përpiqen të përmbysin rendin kushtetues në Türkiye, të cilët janë të përfshirë në akte dhune dhe që kërcënojnë sigurinë e jetës dhe pronës së njerëzve të pafajshëm”, tha ai.

AA