Drejtori i Komunikimeve i Türkiyes, Fahrettin Altun, gjykoi ashpër ata që tentojnë të bëjnë politikë me tërmetin vdekjeprurës që goditi vendin, i cili shkaktoi dhjetëra mijëra viktima dhe të lënduar.
“Nuk është koha për politikë dhe i dënojmë fuqishëm disa deklarata nga figura të caktuara politike që synojnë të shkaktojnë përçarje. Po kalojmë kohë të vështirë si komb. U bëjmë thirrje të gjithëve që të përmbahen nga deklaratat e papërgjegjshme dhe të bëhen pjesë e zgjidhjes”, tha Fahrettin Altun në Twitter të enjten.
Altun tha gjithashtu se Ankaraja është mirënjohëse për përkrahjen nga Twitteri për të luftuar dezinformatat lidhur me tërmetin.
Komentet e tij erdhën një ditë pasi Türkiye përkujtoi Twitterin për përgjegjësitë e tij lidhur me dezinformatat, raportimet e rrejshme, fushatat e rrejshme për ndihma, profilet e rrejshme dhe shpërndarjen e informacioneve të pasakta në këtë platformë.
“Dezinformatat janë armik i përbashkët i njerëzimit dhe kërcënim për varrosjen e demokracisë, paqes shoqërore dhe sigurisë kombëtare”, shkroi Altun në Twitter.
Më herët, presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan theksoi nevojën që të luftohen provokatorët të cilët përdorin dezinformata për krijimin e konfuzionit dhe shqetësimit mes njerëzve.
Kontroll i plotë mbi përpjekjet e kërkim-shpëtimit
Përkundër sfidave në ditën e parë të reagimit, për shkak të kushteve dimërore dhe tërmetit të dytë 9 orë më vonë, në ditët në vazhdim ne vendosëm kontroll të plotë mbi përpjekjet e kërkim-shpëtimit”, tha Altun.
Altun theksoi se operacionet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë dhe nuk do të ndalen derisa “të gjejmë secilin që mundemi”.
Drejtori i Komunikimeve tha se qëllimi është rimëkëmbje e plotë dhe rindërtim i 10 provincave brenda një viti, duke shtuar se Qeveria është e përkushtuar plotësisht në sigurimin e strehimit për secilin që ka nevojë në ndërkohë.
Ai tha se disa hotele në provincat e Mersinit dhe Antalyas, përfshirë edhe Alanyan, i kanë hapur dyert për të prekurit nga tërmeti.
“Mobilizimi i plotë i qendrave tona të koordinimit në të gjitha qytetet do të na mundësojë të tejkalojmë sfidat fillestare, siç janë bllokimi i rrugëve dhe aeroporteve mes të tjerave. Sot, jemi në pozicion shumë më të mirë që t’u përgjigjemi të gjitha sfidave, përfshirë mungesat e karburantit dhe nevojat për ngrohje”, shtoi Altun.
Duke theksuar nevojën për luftimin e provokatorëve që përdorin dezinformata për të krijuar konfuzion dhe shqetësim publik, Altun theksoi se “qëllimi i tyre është të pengojnë përpjekjet e shpëtimit dhe të thyejnë vullnetin e njerëzve tanë”.