Altun: Pretendimet për shëndetin e presidentit Erdoğan janë të pabaza / Photo: AA

Shefi i Zyrës së Komunikimeve të Presidentit të Türkiyes, Fahrettin Altun, hodhi poshtë si të pabaza pretendimet për shëndetin e presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan.

“Ne hedhim poshtë kategorikisht pretendimet e pabaza për shëndetin e presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan”, tha Altun në rrjetin social Twitter.

Ai konfirmoi se Erdoğan do të marrë pjesë nesër në ceremoninë e hapjes së termocentralit bërthamor Akkuyu në Türkiye.

“Presidenti do të marrë pjesë në hapjen e nesërme të termocentralit bërthamor me anë të videokonferencës”, shtoi Altun. Mes të tjerash, ai theksoi se është i bindur se Erdoğan dhe AK Partia do të fitojnë zgjedhjet e ardhshme në Türkiye.

"Asnjë sasi e dezinformatave nuk mund të kundërshtojë faktin se populli turk qëndron pranë liderit të tij. Recep Tayyp Erdoğan dhe AK Partia e tij do të fitojnë zgjedhjet e 14 majit," tha Altun.

Ndryshe, Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan sot me rekomandimin e mjekut ka pushuar nga aktivitetet parazgjedhore për shkak të problemeve të vogla shëndetësore që ka përjetuar mbrëmë.

Për shkak të rraskapitjes gjatë aktiviteteve intensive parazgjedhore në ditët e fundit, Erdoğan ka pasur probleme të lehta shëndetësore mbrëmë gjatë një paraqitje në një televizion turk, për të cilin rast edhe shkroi në rrjetet sociale.

Erdoğan, duke falënderuar të gjithë qytetarët që dërguan mesazhe mbështetjeje dhe urime për shërim të shpejtë, deklaroi se, në përputhje me rekomandimet e mjekut, sot qëndron në shtëpi.

"Sot do të pushoj në shtëpi sipas këshillave të mjekëve tanë. Fatkeqësisht, sot nuk do të mund të mblidhemi me vëllezërit tanë nga Kirikkale, Yozgat dhe Sivas. Nënkryetari Fuat Oktay do të marrë pjesë në programet në Kırıkkale, Yozgat dhe Sivas në emrin tim. Dhashtë Zoti që nga nesër do të vazhdojmë me programin tonë. Ne do të vazhdojmë të punojmë për ta sjellë kombin tonë të dashur në synimet e 'Shekullit të Türkiyes'. Me këtë rast uroj shëndet, paqe dhe begati të gjithëve qytetarëve”, tha Erdoğan.

Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare do të mbahen në Türkiye më 14 maj.

TRT Balkan / agjencitë