Shefi i Drejtorisë së Komunikimeve në Presidencën e Republikës së Türkiyes, Fahrettin Altun, tha se teknologjia e inteligjencës artificiale është bërë një realitet i rëndësishëm edhe në botën mediatike.
Altun foli në forumin "Menaxhimi i inteligjencës artificiale në media" në kryeqytetin turk, Ankara, i zhvilluar në bashkëpunim me Anadolu Agency dhe Bilisim Vadisi (Lugina e IT-së).
“Me udhëheqjen e presidentit tonë Recep Tayyip Erdoğan, ne po e përcaktojmë epokën e re si shekullin e komunikimit dhe digjitalizimit dhe po punojmë për përdorimin e drejtë të teknologjive të inteligjencës artificiale në media”, tha Altun.
Ai theksoi veçanërisht rëndësinë e menaxhimit të inteligjencës artificiale në vend që thjesht të përdoret ose bllokohet inteligjenca artificiale në media.
Altun tha se inteligjenca artificiale paraqet sfida serioze nga njëra anë, por ofron edhe mundësi të mëdha.
"Ne jemi të vetëdijshëm se teknologjia e inteligjencës artificiale tani është një realitet i rëndësishëm i botës së medias. Është shumë e qartë se këtu nuk kemi nevojë për optimizëm apo pesimizëm, duhet të jemi realistë. Nuk duhet të ketë vend për determinizëm teknologjik dhe teknofobi kur ne flasim për inteligjencën artificiale”, tha ai.
Ai shpjegoi se karakteristika më themelore e inteligjencës artificiale është aftësia e saj për të mësuar, analizuar të dhënat, zgjidhjen e problemeve dhe përshtatjen ndaj sfidave të reja.
Duke komentuar çështjen e përdorimit të inteligjencës artificiale në media, ai theksoi se praktika e prodhimit të lajmeve po diskutohet gjithnjë e më shumë.
"Të gjithë e dimë se inteligjenca artificiale ka aftësinë të prodhojë shpejt lajme duke analizuar shumë të dhëna dhe me aftësi përpunimi të gjuhës. Për këtë arsye, ne e dimë se inteligjenca artificiale është bërë shumë tërheqëse në media. Inteligjenca artificiale gjithashtu mund të ofrojë përmbajtje të personalizuar për konsumatorët e medias me algoritmet e saj. Një mënyrë tjetër e përdorimit të inteligjencës artificiale në media është analiza, klasifikimi dhe etiketimi i përmbajtjes vizuale", tha Altun dhe shtoi:
"Kur marrim parasysh të gjitha këto avantazhe dhe mundësi të inteligjencës artificiale, a duhet të relaksohemi dhe të kënaqemi? Sigurisht që jo, ne nuk e kemi atë luks. Duhet të shohim mirë se me çfarë sfidash përballemi në media duke përdorur inteligjencën artificiale dhe si mund t'i kapërcejmë ato”, tha ai.
Ai theksoi se rreziku më i madh në hapësirën mediatike të rregulluar nga inteligjenca artificiale është që përmbajtja e bujshme të bëhet burimi kryesor i referencës dhe riprodhimi i teksteve sensacionale në vend të teksteve të studiuara mirë.
"Nëse vëmë në fokus njerëzit, kulturën dhe historinë, përdorimi i inteligjencës artificiale në media mund të jetë i besueshëm. Përndryshe, ne do të humbasim pikën tonë të referencës dhe do të dënohemi me anarki dhe kaos", tha Altun.
Në fund ai theksoi se, nëse sot flasim për një rend të drejtë mediatik të bazuar në të vërtetën në nivel global, atëherë “si njerëzim duhet të vendosim një ekuilibër të shëndetshëm mes drejtësisë dhe pushtetit për të siguruar paqen, prosperitetin dhe stabilitet në nivel global”.
Në forum morën pjesë edhe Presidenti i Bordit të Drejtorëve dhe Drejtori i Përgjithshëm i Anadolu Agency Serdar Karagoz, Drejtori i Përgjithshëm i "Bilisim Vadisi" Erkam Tuzgen dhe zyrtarë të tjerë.