Türkiye do të vazhdojë të qëndrojë pranë vëllezërve tanë libianë pa hezitim, për të shëruar plagët e tyre dhe për t'i mbështetur ata në periudhën e ardhshme, tha drejtori i komunikimit i Türkiyes, Fahrettin Altun.
Duke folur gjatë “Forumit të Komunikimit në Tripoli”, Altun tha se vendi i tij ka lidhje të thella historike dhe kulturore me vendin mik dhe vëlla, Libinë.
“Në këtë kontekst, vitin e kaluar ne nënshkruam një Memorandum Mirëkuptimi për Bashkëpunim rreth Mediave dhe Komunikimit me Libinë, duke forcuar më tej marrëdhëniet tona në këtë fushë”, tha ai.
“Si Türkiye, ne do të vazhdojmë të punojmë drejt ndërtimit të një shoqërie më të qëndrueshme dhe më të përballueshme, si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar, kundër fatkeqësive natyrore dhe krizave të tjera humanitare,” shtoi Altun.
Marrëdhëniet Türkiye-Libi
Vitet e fundit, Türkiye dhe Libia kanë ndërmarrë disa hapa për të forcuar lidhjet e tyre historike, gjeografike, politike, ushtarake, ekonomike dhe kulturore.
Pas përfundimit të një marrëveshjeje detare në nëntor 2019 për të ripërcaktuar ujërat e tyre territoriale në Mesdhe, të dyja kombet kanë zgjeruar bashkëpunimin e tyre në kërkimin e naftës dhe gazit natyror.
Për më tepër, në tetor 2022 Ankaraja dhe Tripoli nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për kërkimin e hidrokarbureve në Mesdheun Lindor.
Marrëveshja synon të ruajë të drejtat dhe interesat e Türkiyes dhe Libisë në ujërat e Mesdheut Lindor.
Marrëveshja detare Türkiye-Libi u mundëson të dyja vendeve të rrisin zonat e tyre detare përkatëse.