Anëtarësimi në NATO, Türkiye kërkon hapa konkretë nga Suedia / Foto: AA

Türkiye paralajmëroi se është e pamundur të miratohet kërkesa e Suedisë për anëtarësim në NATO pa parë ndërmarrjen e hapave konkretë prej tyre, ndërsa përkujtoi se Suedia dhe Finlanda kanë bërë premtime lidhur me kërkesën e tyre për anëtarësim.

“Për sa i përket anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë, qëndrimi i Türkiyes është i qartë dhe transparent”, tha sot ministri i Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu në një konferencë të përbashkët shtypi me ministrin e jashtëm hungarez Peter Szijjarto, i cili mbërriti në Ankara për vizitë solidariteti pas tërmeteve të 6 shkurtit.

Duke rikujtuar se terrorizmi është një nga dy kërcënimet kryesore për NATO-n, Çavuşoğlu tha se Türkiye pret që dy vendet nordike t'u përgjigjen shqetësimeve të Ankarasë në lidhje me luftën kundër terrorizmit.

Që nga nënshkrimi i memorandumit trepalësh në Samitin e NATO-s në Madrid në qershor 2022, Çavuşoğlu tha se "nuk ka pasur asnjë hap të kënaqshëm të ndërmarrë nga Suedia".

"Suedia dhe Finlanda kanë dhënë premtime për anëtarësimin në NATO. Nuk është e mundur që ne t'i themi 'po' anëtarësimit të Suedisë në NATO pa i parë këto hapa", tha ai.

Ai tha gjithashtu se kërkesat e vendeve nordike për anëtarësim në NATO mund të vlerësohen ndaras, pasi Türkiye ka një mendim më pozitiv ndaj procesit të Finlandës.

Çavuşoğlu përmendi edhe mekanizmin e krijuar midis Türkiyes, Suedisë dhe Finlandës dhe tha se do të ishte mirë që takimi i tretë i mekanizmit të mbahet në Bruksel.

AA