Forcat e SHBA-së në Siri trajnuan një terroriste të rangut të lartë të PKK/YAT, e cila u neutralizua nga Türkiye në korrik, konfirmuan sot burimet turke të sigurisë.
Burimet e sigurisë thanë se terroristja e neutralizuar ishte Civana Heso me emrin e koduar Roj Habur, një nga tre terroristët që u "neutralizuan" nga ushtria turke në fund të korrikut. Ajo njihej si e ashtuquajtur komandante rajonale e PKK/YAT Jazira të Sirisë.
Pas neutralizimit të tre terroristëve, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) vlerësoi angazhimin e tyre dhe u dërgoi mesazh ngushëllimi familjeve të tyre, veprim ky që u kritikua ashpër nga zyrtarët turq.
"Salwa Yusuk (AKA Ciyan Afrin) zëvendës komandant i Forcave Demokratike Siriane (SDF) së bashku me 2 bashkëluftëtare femra u vra në një sulm pranë Qamishli, Siri, më 22 korrik 2022", shkroi CENTCOM në Twitter më 24 korrik.
Türkiye ka kritikuar prej kohësh mbështetjen e SHBA-së për terroristët e PKK-së dhe degët e saj në Siri, të njohur si YPG. Ndërsa Washingtoni pretendon se lufton terroristët e DEASх-it me ndihmën e aleatëve të saj PKK/YPG, Ankaraja thotë se përdorimi i një grupi terrorist për të luftuar një grup tjetër terrorist është i pakuptimtë.
Terroristja Heso mori trajnim special ushtarak nga forcat amerikane në Siri ndërkaq nga ana tjetër stërviti terroristë të shumtë për të vepruar kundër Türkiyes në të ashtuquajturën akademi Dilovan, ku më parë terroristëve të PKK/YPG-së u kishte dhënë trajnime për vrasje, sipas burimeve të sigurisë.
Pjesëtarët e organizatës të trajnuar nga terroristja ngacmonin dhe sulmonin forcat turke në zonën e operacionit "Burimi i Paqes" në veri të Sirisë dhe në provincat juglindore Mardin dhe Sirnak të Türkiyes.
PKK-ja krijoi të ashtuquajturat njësitë e saj antiterroriste, të njohura si YAT, në vitin 2014, duke operuar si forca speciale të supozuara në Siri dhe duke u angazhuar në organizimin e infiltrimit, pritave dhe veprime të ngjashme kundër forcave të sigurisë në kufi, thanë burimet.
Në fushatën e saj terroriste më shumë se 35-vjeçare kundër Türkiyes, PKK-ja, e listuar si organizatë terroriste nga Türkiye, ShBA-ја dhe BE-ја, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e më shumë se 40 mijë njerëzve, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja.