Türkiye do të bëjë përpjekje maksimale për të mbrojtur një sërë parimesh dhe do të monitorojë në mënyrë aktive zbatimin e tyre në vendet ku ndodhin krime të urrejtjes antiislame, thanë në një deklaratë burime diplomatike turke.
Deklarata erdhi ndërsa ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan ndoqi një takim video të organizuar nga Organizata e Bashkëpunimit Islamik (OIC) të hënën.
“Türkiye do të ndajë legjislacionin e saj ekzistues për këtë çështje me anëtarët e OIC-it në organizata të tilla si OSBE-ja (Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë), Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dhe Komisioni Evropian kundër racizmit dhe intolerancës”, thuhet më tej në deklaratë.
OIC-i mirëpriti gjithashtu distribuimin me shpenzimet e Kuvajtit të 100.000 kopjeve të librit të shenjtë mysliman, Kuranit, në Suedi, të përkthyer në gjuhët lokale. “Vendeve anëtare u kërkohet të demonstrojnë reagimet e tyre ndaj incidenteve që ndodhin në vendet ku ndodhin aksionet e djegies së Kuranit, duke marrë parasysh marrëdhëniet e tyre dypalëshe, në kontekstin e lidhjeve të tyre politike, ekonomike dhe kulturore”, thuhet në deklaratë.
Luftimi i islamofobisë
Organizata bëri thirrje për caktimin e një të dërguari të posaçëm për të luftuar islamofobinë duke përdorur burimet aktuale të organizatës.
Anëtarët e OIC-it paraqitën gjithashtu një kërkesë në OKB për të caktuar një raportues special me qëllim të trajtimit të islamofobisë.
Gjatë takimit me video, shumë ministra të anëtarëve theksuan rëndësinë e kontaktimit me vendet perëndimore dhe organet ndërkombëtare, veçanërisht në Evropë, për të monitoruar nga afër situatën.
OIC-i trajtoi sulmet e fundit kundër Kuranit në dy takime të jashtëzakonshme të Komitetit Ekzekutiv të mbajtur në nivel të përfaqësuesve të përhershëm më 31 janar dhe 2 korrik.