Ankaraja zyrtare dënoi ndalimin e drejtuesve të gazetës “Sabah” në Gjermani.     /Foto: AA 

Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) e Türkiyes dënoi ashpër ndalimin pa arsye të përfaqësuesve të gazetës Sabah nga policia e Gjermanisë.

Në komunikatën e publikuar nga ministria, thuhet se ndalimi pa arsye i përfaqësuesve të Byrosë së Frankfurtit të gazetës Sabah nga policia e Gjermanisë është një akt ngacmimi dhe frikësimi ndaj medias turke, duke shtuar: “Ne e dënojmë fuqishëm këtë akt të urryer".

“Presim të lirohen menjëherë gazetarët që u vunë në shënjestër të denoncimit të rremë të një anëtari të FETO-s për shkak të lajmeve të tyre për aktivitetet e organizatës terroriste FETO në Gjermani. Menjëherë pas raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale të suksesshme dhe zgjedhjeve parlamentare të mandatit të 28-të në Türkiye, ne e konsiderojmë si një akt të qëllimshëm që autoritetet e Gjermanisë ndaluan drejtpërdrejt gazetarët e lartpërmendur, pa i ftuar as të dëshmojnë", thuhet në komunikatë.

Mes të tjerash, nga MPJ-ja turke theksojnë se ky aksion i Gjermanisë "që synon t'i japë një mësim mbarë botës" për lirinë e medias dhe të shprehjes, nxjerr në pah standardin e dyfishtë.

Gjithashtu, bëhet e ditur se në Gjermani u ndërmorën iniciativat e nevojshme në lidhje me çështjen dhe se është përcjellë reagimi i fortë tek ambasadori i Gjermanisë në Ankara, Jürgen Schulz, i cili është thirrur sot në ministri.

TRT Balkan / agjencitë