Anulohet seanca për Fatih Özerin: Kërkohet përjashtimi i gjykatësit Dine.     Foto: AA

Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan në Shqipëri ka vendosur shtyrjen përsëri të seancës për procesin e ekstradimit të themeluesit të platformës Thodex, Faruk Fatih Özer.

Në seancën e sotme të drejtuar nga gjyqtari Elis Dine, gjykata vendosi që seanca e radhës për ekstradimin e shtetasit turk Özer do të mbahet më 14 nëntor.

Në një deklaratë për mediat, gjyqtari Dine tha se avokati i Özer paraqiti dy kërkesa, ku sipas tij kërkoi të përkthen disa akte me shkrim dhe kërkesa e dytë ishte që të merren informacione të tjera nga prokuroria turke nëse Özer gjykohet për ndonjë çështje tjetër penale.

Dine theksoi se kërkesa e parë për përkthimin e akteve u ezaurua gjatë seancës, ndërsa kërkesa tjetër u rrëzua, pasi sipas tij autoritetet turke kanë sjellë vendimin për caktimin e masës së sigurimit dhe gjithë dosjen e ekstradimit.

"Ditën e sotme seanca gjyqësore u zhvillua, por u shty sërish dhe seanca e ardhshme u caktua më datë 14, kjo për shkak se nga ana e avokatit mbrojtës të të kërkuarit dhe të arrestuarit Faruk Fatih Özer u kërkua përjashtimi im si gjyqtar si dhe u kërkua kohë për të përgatitur konkluzionet përfundimtare. Përjashtimi u kërkua pasi nuk u pranuan nga ana e gjykatës dy nga kërkesat që u vlerësuan nga gjykata si të pabazuara në ligj", tha Dine.

Kujtojmë se Prokuroria e Elbasanit ka depozituar në Gjykatën e Shkallës së Parë Elbasan kërkesën për ekstradimin në Türkiye të shtetasit turk Özer.

Aktualisht Özer ndodhet në masën e sigurisë arrest me burg në Shqipëri, ndërsa në shkallën e parë zhvillohet procesi gjyqësor në lidhje me ekstradimin e tij.

Çështja ndaj Faruk Fatih Özer

Özer, i cili kërkohej me buletin të kuq nga Türkiye dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar, u arrestua më 30 gusht në Shqipëri dhe akuzohet për veprat penale "Krijimi i organizatës kriminale" dhe "Mashtrimi me pasoja të rënda".

Prokuroria turke më 22 prill të vitit 2021 filloi zyrtarisht hetimin pas denoncimeve të përdoruesve për mos qasje në llogaritë e bursës së kriptovalutave Thodex dhe se pronari i kompanisë ishte larguar jashtë vendit.

Në këtë kuadër u konfirmua se pronari i kompanisë, i dyshuari Özer, ishte larguar jashtë vendit më 20 prill të vitit 2021.

Më pas u lëshua një urdhër ndalimi për shumë persona të dyshuar, përfshirë edhe për Özer ndaj të cilit më parë ishte nxjerrë një urdhër arresti.

Gjithashtu ndaj Özer më 23 prill të vitit 2021 ishte lëshuar një buletin i kuq nga Interpoli.

Ndërkohë, autoritetet turke kanë theksuar se Özer do të ekstradohet në Türkiye pas procesit gjyqësor në Shqipëri.

AA