Arrestohet në Türkiye themeluesi i Thodex-it, Faruk Fatih Özer / Photo: AA

Gjykata në Istanbul ka dhënë vendimin për arrestimin e themeluesit të platformës Thodex, Faruk Fatih Özer, i cili ishte i ndaluar në Türkiye pas vendimit për ekstradim nga ministria e Drejtësisë e Shqipërisë.

Özer u dërgua në Türkiye më 20 prill pasi Gjykata e Apelit në Durrës miratoi ekstradimin e tij në Türkiye.

Pas përfundimit të procedurave në Drejtorinë e Luftës Kundër Krimit Kibernetik në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, Özer u referua në gjykatë për veprimet e mëtejshme.

Bëhet e ditur se gjatë procedur;s në polici, Özer ka mbrojtur idenë se nuk është mashtrues, se ka përdorur të drejtën e heshtjes dhe se do të dëshmojë në gjykatë. Po ashtu, ai është deklaruar se nuk ka para dhe se ato që i ka pasur ua ka shpërndarë pronarëve.

Ndërkohë, vazhdojnë hetimet për laptopin, 9 telefona, kartën sim, flash memorien dhe bllokun e shënimeve që kanë mbërritur bashkë me Faruk Fatih Özerin.

Özer u referua në gjykatën penale me akuzat e ngritura nga prokuroria për "themelimin dhe menaxhimin e organizatës", "mashtrimi i cilësuar" dhe "pastrim të vlerës pronësore". Gjykata penale ku Özer u paraqit dha vendimi për arrestimin e tij.

Mohimi i akuzave

Faruk Fatih Özer, në deklaratën e tij të marrë në Zyrën e Kryeprokurorit Publik të Anadollit në Istanbul ka shpjeguar se ka themeluar një kompani softuerike në Gebze në vitin 2014 dhe se fusha e veprimtarisë së kësaj kompanie është zhvillimi i softuerit celular dhe ueb.

Özer shpjegoi në deklaratën e tij se atij i ishte formuar një interes për kriptomonedha gjatë periudhës së aktiviteteve të kompanisë së tij dhe se filloi të blinte dhe të shiste kriptomonedha me llogarinë e tij personale në bursat globale të kriptomonedhave.

"Gjatë kësaj, mendova se mund të shtoja risi në shkëmbimet e kriptomonedhave në Türkiye. Themelova bursën e kriptomonedhave me emrin Koineks duke marrë me qira një zyrë në rajonin Şişli në Istanbul në vitin 2017. Në të njëjtën kohë, aktivitetet e mia në kompaninë e softuerëve në Gebze po vazhdonin. Pasi themelova Koineks, fillova punësimin dhe vazhdova aktivitetet e mia të kriptomonedhave me një staf prej 5 personash. Ndërmjetësova në tregtimin e 5 monedhave, përkatësisht Bitcoin dhe Ethereum, Litecoin, Dogecoin dhe Ripple. Për të ofruar shërbim në tregun global, në vitin 2022 ndryshova emrin e bursës tonë në Thodex dhe aktivitetet e mia i vazhdova duke marrë një zyrë me qira në Göztepe", është shprehur ndër të tjerash Özer.

Duke shpjeguar se me kohë filloi të zgjerojë vëllimin e veprimeve të kompanisë dhe se për këtë arsye zgjeroi edhe stafin, Özer u shpreh: "Në kompani punësova njerëz që operojnë si zhvillues softuerësh, specialistë të mediave sociale, staf mbështetës ndaj klientit, staf i burimeve njerëzore. Kompania Thodex që themelova u rendit ndër 3 bursat e para të kriptomonedhave të Türkiyes sa i përket vëllimit të tregtimit. Vazhdonte aktivitetet e saj si një kompani korporative".

Duke mos pranuar akuzat kundër tij për "themelimin dhe menaxhimin e organizatës", "mashtrimi i cilësuar" dhe "pastrim i vlerës së pasurisë", Özer theksoi: "Nuk kam mashtruar askënd. Nuk kam pastruar vlera pronësore".

Ndërsa çështjet lidhur me arsyen se doli jashtë vendit teksa vazhdonte aktivitetet e kompanisë, Özer njoftoi se do t'i shpjegojë në seancën që do të mbahet më 12 qershor.

Duke pretenduar se nëpërmjet avokatëve ka kontaktuar me personat që në dosje cilësohen si viktima dhe se dëmet e tyre janë përcaktuar nga MASAK (Bordi i Hetimit të Krimeve Financiare të Türkiyes), Özer shpjegoi se "në procesin që vazhdonte kisha qëllimin të mbuloja edhe dëmet e viktimave".

Procesi i kapjes dhe ekstradimit Özer, i cili kërkohej me buletin të kuq nga Türkiye dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar, u arrestua më 30 gusht 2022 në Shqipëri.

Vendimi i Gjykatës së shkallës së parë në Elbasan më 2 shtator 2022 për vazhdimin e masës së arrestit ndaj Özer u apelua nga avokatët e Özer më 14 shtator 2022.

Gjykata e Apelit në Durrës më 20 shtator miratoi vendimin për arrestimin e Özerit.

Gjykata e shkallës së parë në Elbasan në seancën më 17 nëntor 2022 njoftoi se është pranuar kërkesa e prokurorisë së Elbasanit për "lejimin e ekstradimit të Özerit në Türkiye", ndërsa Özer më 7 dhjetor 2022 apeloi këtë vendim.

Në seancën e mbajtur më 30 nëntor 2022 në Gjykatën e Apelit Durrës lidhur me këtë vendim, u miratua vendimi për ekstradimin e Özerit në Türkiye.

Gjithashtu, Gjykata e Lartë e Shqipërisë më 13 prill vendosi mospranimin e ankesës të paraqitur nga themeluesi i platformës Thodex, Faruk Fatih Özer, i cili kundërshtonte vendimin që lejon ekstradimin e tij në shtetin turk.

Pas këtyre vendimeve, më 20 prill Özer u ekstradua me avion në Istanbul.

AA