Alper Gezeravci, i cili përfundoi misionin shkencor të Türkiyes në hapësirë me kolegë dhe ateroi në Tokë pas 18 ditëve të kaluara në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS), është kthyer në shtëpi.
Astronauti turk, pas një misioni të suksesshëm në hapësirë, u prit nga ministri i Industrisë dhe i Teknologjisë Mehmet Fatih Kacir dhe zyrtarë të tjerë në aeroportin Esenboga në kryeqytetin e Türkiyes, Ankara.
Gezeravci dhe familja e tij u mirëpritën nga një grup fëmijësh të cilët i dhuruan lule, e uruan dhe duartrokitën duke shfrytëzuar rastin për t’u fotografuar me të.
Türkiye u bë vendi i 22-të që arriti në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.
Kapsula Dragon e SpaceX, që mbante ekuipazhin Ax-3, u ul në oqean në brigjet e Floridës të premten (9 shkurt). Ekuipazhi i Ax-3 u largua nga ISS më 7 shkurt në orën 17:20 CET.
Kapsula Dragon, që mbante ekuipazhin Ax-3, u nis me sukses nga Qendra Hapësinore Kennedy e NASA-s në Florida më 18 janar. Ekuipazhi Ax-3, udhëtimi i të cilit zgjati rreth 36 orë, mbërriti në ISS më 20 janar.
Gjatë qëndrimit të tyre dyjavor në ISS, piloti i Forcave Ajrore Turke, Alper Gezeravci, dhe tre anëtarë të tjerë të ekuipazhit nga Spanja, Italia dhe Suedia kryen më shumë se 30 eksperimente shkencore, rreth gjysmën e të cilave turku i kreu vetë.