Atay, për raportet Türkiye-Shqipëri: Viti 2024 ka qenë shumë i suksesshëm.        Foto: AA

Ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, në lidhje me marrëdhëniet mes Türkiyes dhe Shqipërisë ka deklaruar se viti 2024 ka qenë një vit shumë i suksesshëm dhe shumë i ngjeshur me vizita të ndërsjella dhe aktivitete të ndryshme.

Ambasadori Atay, në një deklaratë për mediat, foli për partneritetin strategjik mes Türkiyes dhe Shqipërisë, vizitat e ndërsjella të nivelit të lartë, marrëveshjet mes dy vendeve, aktivitetet e institucioneve turke në Shqipëri, bashkëpunimin në samite dhe nisma rajonale mes dy vendeve, si dhe u ndal edhe në sulmet izraelite ndaj Gazës, vrasjet e civilëve të pafajshëm dhe çështje të tjera.

Ambasadori Ataty u shpreh se ngritja e marrëdhënieve në nivelin e partneritetit strategjik mes Türkiyes dhe Shqipërisë është bërë me miratimin e të dyja shteteve.

Ai veçoi vizitën zyrtare të presidentit Recep Tayyip Erdoğan më 10 tetor, të ministrit të Jashtëm Hakan Fidan në fund të janarit, mbledhjet në Ankara dhe Tiranë të Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë me pjesëmarrjen e liderëve dhe zyrtarëve të lartë nga dy vendet dhe hapjen e Xhamisë së Namazgjasë, e ndërtuar me kontributin financiar të Türkiyes.

"Në muajin tetor kemi pasur edhe vizitën e presidentit tonë, Recep Tayyip Erdoğan, ku u arrit që edhe Xhamia e Namazgjasë të inaugurohet. Besoj se inaugurimi Xhamisë së Namazgjasë është një nga zhvillimet më të rëndësishme, me kuptimplota dhe më domethënëse për mbarë shqiptarët, për të cilët do të ofrojë shërbime për të gjitha shtresat", tha Atay.

Ambasadori turk theksoi se për vëllimin tregtar mes dy vendeve, krahasuar me vitin e kaluar, ka një rritje goxha të lartë dhe shtoi se në fund të vitit shpresojnë që të arrijë në 1 miliard dollarë.

Duke folur për sulmet e Izraelit në Gaza, ambasadori Atay tha se ajo që i shqetëson, po ta shikojnë edhe nga politikat e Türkiyes, kanë qenë bombardimet dhe sulmet e Izraelit ndaj Gazës dhe ndaj njerëzve të pafajshëm.

"Ka qenë gjenocid që po aplikohet nga shteti izraelit. Njëkohësisht presim nga Shqipëria që të tregojë pak më tepër ndjeshmëri ndaj këtij zullumi, padrejtësie dhe gjenocidi që po ushtrohet në Gaza gjatë kësaj lufte të përgjakshme", tha Atay.

Ai gjithashtu theksoi se Shqipëria ka shënuar shumë zhvillime pozitive, veçanërisht në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. "Ka qenë hapja e negociatave për grupkapitujt e parë në muajin tetor dhe uroj nga zemra që ky proces në drejtim të integrimit (të Shqipërisë) në Bashkimin Evropian të mbyllet sa më parë", tha Atay.

Ambasadori turk theksoi se shpresojnë që edhe në muajit e ardhshëm të vitit 2025, vizita e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në Türkiye dhe në kuadër të vizitës, mbledhja e radhës e Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë, të sjellin shumë produktivitet.

TRT Balkan / agjencitë