Samiti i parë i KPE-së po mbahet në Pragë, kryeqytetin e Republikës Çeke.

Samiti i parë i Komunitetit Politik Evropian është një mundësi për Türkiye-n që të demonstrojë aftësitë e saj për zgjidhjen e problemeve duke treguar “performancë të jashtëzakonshme” në krahasim me aftësitë e vendeve të tjera, beson Egemen Bagiş, ambasadori i Türkiye-s në Republikën Çeke.
Sipas ambasadorit, përparësia e Türkiye-s qëndron në atë sepse është një vend që për shekuj ka qenë “shteti më perëndimor në Lindje dhe vendi më lindor në Perëndim”.
“Ka një luftë ruso-ukrainase në vazhdim që kërcënon gjithë njerëzimin dhe të gjithë janë të shqetësuar, por Türkiye është i vetmi vend që mund të vendosë një dialog me të dyja palët”, tha Bagiş.
Pikërisht në kryeqytetin çek, Pragë, po mbahet samiti i parë, ku merr pjesë edhe presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan.
Ai do të zhvillojë takime anësore me liderë të tjerë të pranishëm, përfshirë kryeministrin armen, Nikol Pashinyan.
Ky format, i propozuar nga presidenti francez Emmanuel Macron, do të bashkojë në një vend 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe 17 vende të tjera nga rajoni më i gjerë.

Midis tyre janë gjashtë vende nga Ballkani Perëndimor, si Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, të cilat kanë filluar negociatat për anëtarësim, vendet nga Lindja, si Azerbajxhani, Armenia, Moldavia dhe Gjeorgjia, pastaj vendet evropiane që nuk janë anëtare, si Norvegjia, Zvicra, Islanda dhe Lihtenshtajni dhe Britania e Madhe duke dalë nga bashkimi.
“Ai synon të inkurajojë dialogun politik dhe bashkëpunimin për çështjet me interes të përbashkët dhe të forcojë sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e kontinentit evropian”, thuhet në një deklaratë të BE-së.
Kjo platformë e koordinimit politik nuk zëvendëson asnjë organizatë, strukturë apo proces ekzistues dhe nuk synon të krijojë të reja në këtë fazë.

AA