Qytetarët në Hatay, Osmaniye dhe Adana në Türkiye, si dhe në zonat e tjera të prekura nga tërmetet shkatërruese të shkurtit të këtij viti, dolën në vendvotime për të votuar në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.
Në Hatay, ku më shumë se një milion qytetarë kanë të drejtën e votës, votuesit vijnë që nga orët e mëngjesit për të kryer detyrën e tyre qytetare. Janë vendosur edhe kontejnerë të votimit në shumë lagje dhe shkolla që nuk kanë pësuar dëmtime serioze nga tërmetet dhe janë të sigurta për votim.
Transport falas drejt qendrave të votimit organizohet edhe për qytetarët që janë të vendosur përkohësisht në kontejnerë dhe çadra dhe që nuk kanë mundësi të lëvizin deri në vendvotim. Gjithashtu, qytetarët që nga orët e mëngjesit mbërrijnë në shkollat në Osmaniye dhe në Adana.
Qendrat e votimit në gjithë Türkiyen u hapën mëngjesin e sotëm në orën 08:00 sipas kohës lokale, duke shënuar fillimin e votimit në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të vendit. Më shumë se 64 milionë qytetarë të Türkiyes me të drejtë vote, në raundin e dytë zgjedhin mes presidentit aktual Recep Tayyip Erdoğan, kandidat i Aleancës së Popullit, dhe kandidatit të Aleancës opozitare të Kombit, Kemal Kılıçdaroğlu.
Në raundin e dytë të zgjedhjeve, të drejtë vote do të kenë edhe 47.523 zgjedhës shtesë në krahasim me raundin e parë, të cilët ndërkohë kanë mbushur 18 vjeç.
Në raundin e parë të zgjedhjeve të mbajtur më 14 maj, Erdoğan fitoi 49,51 për qind të votave dhe lideri i opozitës turke, Kemal Kılıçdaroğlu, 44,89 për qind të votave. Aleanca e Popullit e Erdoğanit e udhëhequr nga Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) fitoi shumicën në parlamentin e shtetit në raundin e parë.
Votimi në qendrat e votimit jashtë vendit dhe në pikat kufitare, në raundin e dytë, filloi më 20 maj. Të mërkurën ka përfunduar votimi në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Türkiyes jashtë vendit, në gjithsej 73 shtete. Votimi në pikat kufitare vazhdon deri në mbylljen e vendvotimeve të rregullta, sot deri në orën 17:00 sipas kohës lokale.
Sipas Këshillit të Lartë të Zgjedhjeve të Türkiyes, më shumë se 1,92 milion qytetarë votuan në misionet e huaja dhe pikat kufitare të Türkiyes. Pritet që rezultatet e para preliminare dhe jozyrtare të raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale të shpallen të njëjtën ditë, pas mbylljes së qendrave të votimit.