BE-ja do të organizojë konferencë donatorësh për tërmetin në Türkiye /Foto: AA

Bashkimi Evropian do të organizojë konferencë donatorësh për të mbledhur fonde për rimëkëmbjen e zonave të tërmetit në Türkiye. Këtë e konfirmoi sot në Ankara Komisari për Fqinjësi dhe Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, pas takimit trepalësh me ministrin e Jashtëm të Türkiyes Mevlüt Çavuşoğlu dhe ministrin suedez të Zhvillimit Ndërkombëtar Johan Forssell, në emër të Suedisë e cila ka presidencën e Këshillit të BE-së.

"Kemi ndarë 5,5 milionë euro për nevojat urgjente, por është e qartë se nuk mjaftojnë. Do të bëjmë më shumë", tha Varhelyi në Ankara.

Ai theksoi se gjenerata e tij nuk ka parë një tërmet të tillë dhe nuk ka përjetuar një fatkeqësi të tillë.

“Dhimbja e përjetuar është në përmasa të pabesueshme. Edhe ne në këtë kuptim duhet të mbështesim dhe të jemi pranë Türkiyes për ta ndihmuar Türkiyen dhe popullin turk që ta kapërcejë këtë”, tha Varhelyi.

Ministri i Jashtëm i Türkiyes, Mevlüt Çavuşoğlu, theksoi se BE-ja ka ndihmuar Türkiyen me 50 mijë tenda dhe 100 mijë batanije. 21 vende anëtare të Bashkimit Evropian kanë dërguar menjëherë ekipe kërkim-shpëtimi dhe kanë shpëtuar dhjetëra persona nga rrënojat.

TRT Balkan / agjencitë