Billstrom: Po përmbushim angazhimet të memorandumit me Türkiyen.     Foto: AA

Ministri suedez i Punëve të Jashtme, Tobias Billstrom, në një intervistë për Anadolu Agency (AA) ka deklaruar se Stokholmi është i përkushtuar për t’i përmbushur të gjitha detyrimet sipas marrëveshjes së NATO-s për të adresuar shqetësimet e sigurisë së Türkiyes.

"Ne do të bëjmë gjithçka që kemi thënë se do të bëjmë brenda këtij memorandumi deri në shkronjën e fundit për sa kohë që është brenda kornizës së kushtetutës së Suedisë, legjislacionit dhe parimeve të shtetit të së drejtës", tha Billstrom për AA-në.

Komentet e ministrit suedez erdhën pas takimit me homologun e tij turk, Mevlüt Cavuşoğlu, në kryeqytetin Ankara për të diskutuar marrëdhëniet dypalëshe dhe procesin e anëtarësimit të Suedisë në NATO.

Suedia dhe Finlanda në muajin maj aplikuan zyrtarisht për t’iu bashkëngjitur NATO-s, duke hequr dorë nga dekadat e mosangazhimit ushtarak, një vendim i shkaktuar nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës që filloi më 24 shkurt.

Por, Türkiye, një anëtare e NATO-s për më shumë se 70 vjet, shprehu kundërshtime, duke akuzuar të dyja vendet se tolerojnë dhe madje edhe mbështesin grupet terroriste, përfshirë PKK-në dhe FETO-n.

Në muajin qershor, Türkiye dhe dy vendet nordike nënshkruan një memorandum në një samit të NATO-s për të adresuar shqetësimet legjitime të sigurisë së Ankarasë, duke hapur rrugën për anëtarësimin e tyre përfundimtar në Aleancë.

Billstrom tha se Suedia ka ekstraduar në Türkiye tre persona, duke përfshirë një anëtar të grupit terrorist PKK. Ai gjithashtu tha se Suedia nga viti i ri do të ketë një amendament të ri në kushtetutë, që do të mundësojë miratimin e ligjeve më të rrepta kundër terrorizmit.

"Hap pas hapi ne po përmbushim angazhimet tona në kuadër të memorandumit dhe jam i sigurt që ju e vlerësoni se ndryshimi i kushtetutës është një gjë e madhe. Është një gjë e madhe për çdo vend, por ne e bëjmë këtë sepse jemi angazhuar për të përmirësuar aftësitë tona për të luftuar terrorizmin dhe ne po e bëjmë atë krah për krah me Türkiyen, e cila u pranua edhe në konferencën për media nga ministri Çavuşoğlu", tha ai.

Stokholmi i kupton shqetësimet e Türkiyes

Më tej, Billstrom tha se Suedia tani është shumë më e njoftuar për problemet me të cilat po përballet Türkiye kur bëhet fjalë për terrorizmin, duke shtuar se memorandumi ka pasur një "efekt kthjellues".

"Türkiye, vendi për dekada ka qenë subjekt i terrorizmit, së fundmi në nëntor pësoi një tjetër sulm terrorist në territorin e saj. Dua të them që ndodhi në një nga rrugët më të frekuentuara me njerëz në Istanbul. Ne mund ta kuptojmë këtë dhe ne mund t’i kuptojmë shqetësimet që kjo ka krijuar në shoqërinë turke", shtoi ai.

Ai theksoi se aktivitetet e PKK-së duhet të ndalohen jo vetëm për shkak të memorandumit, por edhe sepse Suedia është anëtare e BE-së, e cila e listoi PKK-në si organizatë terroriste.

Në fushatën e saj terroriste mbi 35-vjeçare kundër Türkiyes, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Türkiye, ShBA-ja dhe BE-ja, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e mbi 40 mijë njerëzve, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnja.

"Gjithçka të përcaktuar në memorandum ne do ta përmbushim. Dhe kur kjo të bëhet, ajo hap rrugën për përmirësimin e marrëdhënieve midis Türkiyes dhe Suedisë, jo vetëm për anëtarësimin në NATO. Kjo është një gjë dhe ajo është e rëndësishme. Ne gjithashtu do të jemi në gjendje të bëjmë shumë gjëra së bashku. Ne duam ta bëjmë këtë dhe ky është premtimi im gjithashtu për popullin turk, pasi jemi ulur sot këtu, vetëm disa ditë para se të vijmë në 1 janar për të ndryshuar kushtetutën tonë. Ne e bëjmë këtë me mirëbesim dhe e bëjmë sepse e dimë se kjo është e rëndësishme edhe për ju, jo vetëm për ne", tha Billstrom.

Duke iu referuar Rusisë, shefi i diplomacisë suedeze tha se pa Suedinë dhe Finlandën për NATO-n do të jetë shumë e vështirë të mbajë ambiciet e saj të sigurisë në krahun e saj verior.

"Është mjaft e qartë me kërcënimin rus kaq afër, do të ishte shumë e dobishme për ne, do të ishte e domosdoshme të anëtarësohemi në NATO. Ne po ashtu do t’i ofrojmë NATO-s shumë gjëra të mira", theksoi ai.

AA