Më 6 shkurt, në mëngjes herët, tërmetet me magnitudë 7,7 dhe 7,6 ballë dhe pasgoditjet e tij të mëdha goditën Türkiyen duke prekur më shumë se 13 milionë njerëz në 10 provinca si Kahramanmaraş, Adana, Adiyaman, Diyarbakir, Gaziantep, Hatay, Kilis, Malatya, Osmaniye dhe Sanliurfa.
Sipas shifrave aktuale, më shumë se ........ njerëz kanë humbur jetën, me mijëra të lënduar dhe miliona të mbetur pa shtëpi. Ekspertët dhe zyrtarët turq thonë se një tërmet i kësaj magnitude është i rrallë dhe i jashtëzakonshëm kudo në botë.
Profesoresha Vişne Korkmaz nga Universiteti Nişantaş i Istanbulit thotë për TRT Balkan, veçanërisht kur sistemi global dhe rajonal po kalon trazira, ka nevojë për aktorë si Türkiye që mbrojnë reformimin e sistemit.
“Türkiye është pjesa më e rëndësishme e shumë ekuacioneve gjeopolitike. Prandaj, stabiliteti i Türkiye është i rëndësishëm për stabilitetin e të gjitha rajoneve fqinje. Është e nevojshme të vlerësohet ndihma edhe nga ky këndvështrim”, thotë Korkmaz.
Përderisa Türkiye po përballet me “fatkeqësinë e shekullit”, shumë vende dhe organizata në mbarë botën kanë ofruar mbështetjen dhe ndihmën e tyre për Türkiyen pas tërmetit, që nga ShBA-ja e deri në Indonezi, vende të pasura e të varfra, gjë që tregon se Türkiye ka miq të mirë në nivel ndërkombëtar.
Ndihma ndërkombëtare është e pashmangshme në fatkeqësi
Komuniteti global e ka njohur rëndësinë e bashkëpunimit të përbashkët ndërkombëtar përballë fatkeqësive të cilat mund të kenë një ndikim shkatërrues mbi komunitetet dhe është thelbësore që të gjitha kombet të bashkohen për të mbështetur njëri-tjetrin gjatë këtyre kohëve të vështira.
Studiuesi i sigurisë në Fondacionin SETA në Ankara, Murast Aslan, thotë për TRT Balkan, se ky tërmet shtron një bazë për një bashkëpunim të tillë.
“Mosmarrëveshjet politike në arenën ndërkombëtare duhet të lihen mënjanë dhe të lehtësojnë dhimbjen e të privuarve për hir të njerëzimit”, shprehet Aslan.
Angazhimi i përbashkët ndërkombëtar për të promovuar bashkëpunimin gjatë një fatkeqësie është një aspekt thelbësor i reagimit modern ndaj fatkeqësive.
Të jesh solidar në fatkeqësitë që ndodhin dhe të jesh pjesë e menaxhimit të krizave është një përpjekje për të mbajtur gjallë rendin ndërkombëtar dhe komunitetin ndërkombëtar”, thotë Korkmaz.
Ndihma ndërkombëtare është thelbësore për ofrimin e furnizimeve shumë të nevojshme, si ushqim, ujë, strehim dhe furnizime mjekësore, për njerëzit e prekur nga tërmeti. Vullnetarët nga e gjithë bota mblodhën sende specifike për t’i dërguar në Türkiye, si veshje dimërore, batanije, produkte higjienike, gjësende për fëmijë etj.
Shumë vende dërguan ekipe kërkimi dhe shpëtimi për të ndihmuar në gjetjen e të mbijetuarve dhe pastrimin e rrënojave. Më shumë se 70 vende dërguan ekipe shpëtimi në Türkiye. Personeli i huaj i dërguar në zonën e tërmetit ishte rreth 8.500.
Vendet gjithashtu mund të ofrojnë ndihmë financiare ose të dërgojnë ekipe reaguese për të ndihmuar në terren. Për rindërtimin e qyteteve dhe nevojat e viktimave të tërmetit, bamirësitë ndërkombëtare mbledhin donacione në shumë miliona dollarësh.
Shtetet i përgjigjen diplomacisë humanitare të Türkiyes në kohë të vështira
Türkiye është një nga vendet lider në ofrimin e ndihmës ndërkombëtare dhe ka dhënë kontribut të rëndësishëm në projektet e ndihmës ndaj fatkeqësive dhe zhvillimit në vende të ndryshme anembanë botës. Sipas Raportit Global Humanitarian Aid 2022, përgatitur nga Iniciativat e Zhvillimit me qendër në Mbretërinë e Bashkuar, Türkiye u bë vendi që ofroi ndihmën më të madhe humanitare me 5,5 miliardë dollarë krahasuar me produktin e saj kombëtar bruto.
Dhe tani, më shumë se 70 vende ndihmojnë dhe mbështesin Türkiyen.
Profesoresha Özden Zeynep Oktav nga Universiteti Medeniyet i Istanbulit thotë për TRT Balkan: “Ndihmat për tërmetet na kanë treguar se sa efektive është strategjia e fuqisë së butë e Türkiyes e orientuar drejt miqve.”
Për më shumë se 20 vjet, Türkiye ka ofruar ndihmë për vendet në nevojë në Afrikë, Azi, Evropë dhe Amerikë, dhe ka qenë veçanërisht aktive në ofrimin e ndihmës për vendet e prekura nga fatkeqësitë natyrore, konfliktet dhe krizat e migracionit.
Profesori Tarık Oğuzlu nga Universiteti Aydın i Istanbulit thotë për TRT Balkan “Për vite me radhë, Türkiye është kujdesur të qëndrojë pranë vendeve të varfra dhe të pazhvilluara me parimin e ‘diplomacisë humanitare’. Türkiye u ka ndihmuar këtyre shteteve në shumë fatkeqësi dhe lëvizje zhvillimore. Tani Türkiye, po korr atë që e ka mbjellë.”
Profesoresha Korkmaz thotë se “Türkiye dhe populli turk do ta shohin patjetër solidaritetin ndërkombëtar që ata vëzhguan në kuadrin e fatkeqësisë së fundit si një shembull i besnikërisë ndaj mirësisë.”
Menjëherë pas tërmetit, Türkiye mori ndihmë të menjëhershme nga shumë gjeografi të botës nga vendet e varfra si Afrika, Azia dhe Amerika Latine e deri te vendet e pasura si Shtetet e Bashkuara, Franca, Kanadaja, Australia e Japonia, që është një zhvillim shumë i rëndësishëm në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Profesori Oğuzlu thotë: “Për vite me radhë, Türkiye është përpjekur të jetë zëdhënësja e vendeve të pazhvilluara dhe të shtypura, duke theksuar drejtësinë dhe barazinë. Këto ndihma na tregojnë se diskurset e Türkiyes kanë gjetur përgjigje në mesin e njerëzve të vendeve të zhvilluara dhe të pazhvilluara.”
Fatkeqësitë forcojnë marrëdhëniet dypalëshe
Ekspertët mendojnë se këto ndihma do të ndikojnë pozitivisht në marrëdhëniet dypalëshe.
Profesoresha Oktav thotë: “Ndonjëherë fatkeqësi të tilla mund të përmirësojnë marrëdhëniet tona, edhe pse përkohësisht, edhe me vendet ku kemi probleme kronike. Për shembull, pas tërmetit të vitit 1999, marrëdhëniet tona me Greqinë ishin shumë më të mira. Pas këtij tërmeti mes dy vendeve do të fryjë ajër i lehtë.”
Në shenjë mbështetjeje, ministri i jashtëm grek Nikos Dendias vizitoi zonat e goditura nga tërmeti i Türkiyes, më 12 shkurt, me ministrin e jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu. Ky zhvillim në fakt konfirmon këtë tezë nga ekspertët.
Profesori Oğuzlu thotë: “Këto ndihma ndërkombëtare do të kenë një ndikim pozitiv në politikën e jashtme të Türkiyes në planin afatgjatë me jugun dhe veriun. Türkiye, që në momentin e parë, mori shumë ndihmë nga vende, marrëdhëniet e të cilave kanë qenë të ftohta me vetë Türkiyen kohët e fundit si Greqia, ShBA-ja dhe Franca.”
Rrjedhimisht, edhe mbështetja dhe ndihma nga Rusia e Ukraina kanë treguar se edhe vendet në luftë përballë tragjedisë mund të bashkohen për t’u ndihmuar atyre që kanë nevojë në Türkiye.
Ndryshe, studiuesi i sigurisë Aslan thotë: “Është shumë premtuese të shohësh se dy shtete në luftë, Rusia dhe Ukraina, nxituan për t’i ndihmuar Türkiyes. Kontingjenti rus dhe 88 persona nga Shërbimi i Urgjencës së Ukrainës erdhën në Türkiye për t’u ndihmuar njerëzve. Është një zhvillim shumë i rëndësishëm në historinë njerëzore që mund të sigurojë një kuptim të përbashkët në adresimin e vlerave humanitare.”