Ministria e Arsimit Kombëtar e Republikës së Türkiyes ka filluar pranimin në degë të ndryshme në nivelin e shkollave të mesme profesionale dhe teknike për nxënësit ndërkombëtarë, ndërkohë, në lidhje me këtë program do të kenë mundësi të aplikojnë edhe nxënës nga vendet e Ballkanit.
Ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, në një deklaratë për Anadolu në lidhje me programin e bursave të shtetit turk për shkollat profesionale dhe teknike foli në lidhje me procedurat që do të ndiqen për programin në fjalë, profilet mësimore dhe çështje të tjera.
"Në provim mund të marrin pjesë nxënësit nga vendet e Ballkanit; që janë shtetas të Shqipërisë, Bosnjës e Hercegovinës, Bullgarisë, Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë dhe që kanë përfunduar klasën e 8-të, të cilët kanë kryer procedurat e njësimit të dëftesave", tha Atay.
Ambasadori Atay shtoi se është bërë një shpërndarje e bazuar në shkathtësinë pedagogjike në përcaktimin e shkollave dhe zonave ku do të studiojnë studentët me bursë.
Në bazë të këtij vendimi, ambasadori Atay tha se do të pranohen nxënës me bursë në programet profesionale të shkollave të mesme profesionale dhe teknike në qytetet Ankara, Istanbul, Antalya, Balıkesir, Bursa, Konya dhe Ordu.
Siç theksoi Atay, bursa, krahas tarifës së shkollimit, përfshin edhe akomodimin, shpenzimet shëndetësore, biletën e avionit dhe shpenzimet e nevojshme ditore, që do të mbulohen nga shteti turk.
Aplikimet janë hapur më 2 maj dhe do të vazhdojnë deri më 26 maj 2023 dhe kandidatët për nxënës ndërkombëtarë mund të aplikojnë në adresën https://tbbs.turkiyeburslari.gov.tr.
Sipas ambasadës turke, provimet e pranimit janë vendosur të mbahen më 04 qershor 2023 për provimin me shkrim dhe provimi me gojë më 04-09 qershor 2023. Ndërkohë, provimet do të zhvillohen në Shqipëri dhe në gjuhën shqipe.
Në lidhje me hapat që do të ndiqen dhe për më shumë informacion rreth programeve, të interesuarve u vijnë në ndihmë adresat http://mtegm.meb.gov.tr dhe https://www.ytb.gov.tr/ Gjithashtu të interesuarit mund të informohen edhe nga Zyra për Çështjet e Arsimit pranë Ambasadës turke në Tiranë, duke dërguar e-mail ne adresën zyrtare tiran@meb.gov.tr ose duke vizituar uebfaqen tiran.meb.gov.tr.
Bursat ofrohen nga Kryesia e Turqve Jashtë Vendit dhe Komuniteteve Mike (YTB) dhe nxënësit do të mund të ndjekin shkollimin e tyre në degët e teknologjisë së energjisë së rinovueshme, shërbimet e ushqimeve dhe pijeve, shërbimet akomodimit dhe udhëtimit, teknologjitë e minierave, teknologjitë e dizajnit, bujqësia, teknologjia elektrike-elektronike dhe teknologjitë e automatizmit industrial.