Türkiye ka kritikuar moskonsultimin e Bashkimit Evropian me Ankaranë lidhur me misionin e trajnimit për ushtrinë ukrainase.
“Duhet të them se ne jemi shumë të lumtur të shohim unitet në BE dhe NATO. BE-ja njoftoi për një trajnim të ri të sigurisë për Ukrainën. Dhe sërish, injoroi konsultimin me Türkiyen para lançimit të këtij misioni”, tha Ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu në Forumin e Bukureshtit në Rumani.
Më 14 nëntor, shefi i diplomacisë së BE-së Josep Borrell njoftoi se pritet që ministrat e jashtëm të BE-së të japin dritë jeshile për misionin e trajnimit të rreth 15.000 trupave ukrainas.
Çavusoglu tha se edhe pse nuk është e rëndësishme nëse Türkiye do të jetë pjesë e misionit ose jo, kjo sipas tij shërben si shembull se si BE-ja “e ka humbur të menduarit strategjik për shkak të interesave të ngushta të disa vendeve anëtare”.
“Unë them se ne nuk ka nevojë të jemi pjesë e misionit për shkak se të gjithë e dinë se sa e përkrahim Ukrainën individualisht”, shtoi Çavuşoğlu.
“BE-ja nuk është e plotë pa Türkiyen”
Duke nënvizuar nevojën për rigjetjen e frymës së unitetit për të garantuar sigurinë evropiane, kryediplomati turk tha se “zgjerimi natyror i këtij vizioni është të qenët gjithëpërfshirës dhe duke ringjallur perspektivat e zgjerimit të BE-së”.
“Zgjerimi i BE-së duhet të shtrihet nga Ballkani në Gjeorgji, përfshirë Ukrainën dhe Moldavinë. Dhe ky rajon nuk mund të kompletohet pa vendin tim, Türkiyen. Imagjinoni çfarë ndikimi do të kishin për shtrirjen globale të BE-së Marrëveshja e Drithit të Istanbulit ose përpjeket e tjera tonat, nëse BE-ja do të angazhohej me ne, me Türkiyen”, shtoi ai.
Türkiye aplikoi për anëtarësim në BE në vitin 1987, kurse negociatat e pranimit filluan në vitin 2005. Megjithatë, bisedimet u ndërprenë në vitin 2007 për shkak të kundërshtimeve nga Administrata e Qipros Greke dhe kundërshtimit të Gjermanisë dhe Francës.