Ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu tha se kërkesa e Türkiyes për avionët luftarakë F-16 dhe aplikimi i Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim në NATO “nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën”.
Duke folur për gazetarët pas takimit me homologun e tij amerikan Antony Blinken në Uashington, Çavuşoğlu tha se Kongresi i ShBA-së nuk duhet t’i portretizojë këto çështje të veçanta si të lidhura me njëra-tjetrën.
“Ne themi se këto dy çështje të ndryshme nuk duhet të lidhen me njëra-tjetrën”, theksoi ai.
Duke e quajtur takimin e tij me Blinken-in “të frytshëm”, Çavuşoğlu tha se Türkiye i ka propozuar ShBA-së që takimet e Mekanizmit Strategjik Türkiye-ShBA të institucionalizohen dhe të mbahen të paktën dy herë në vit.
Ai tha se e ftoi gjithashtu homologun e tij për të vizituar Türkiyen dhe për të marrë pjesë në Forumin e Diplomacisë në Antalya në mars.
I pyetur për shitjen e avionëve F-35 Greqisë, kryediplomati turk tha se politika e ekuilibruar e ShBA-së midis Türkiyes dhe Greqisë është “përkeqësuar”.
Çavuşoğlu po ashtu tha se Türkiye është e gatshme të bashkëpunojë me ShBA-në për t'u rifokusuar në Sirinë, por që Uashington-i nuk i ka mbajtur disa nga premtimet e mëparshme.
Nga ana tjetër, Sekretari i Shtetit të ShBA-së, Antony Blinken pas takimit me ministrin e Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu dha mesazhin për vazhdimin e koordinimit me Türkiyen për Ukrainën, Sirinë dhe shumë çështje të tjera
Blinken bëri një postim nga llogaria e tij zyrtare në Twitter, pas bisedës që zhvilloi në Washington me Çavuşoğlun në kuadër të Takimit të 2-të të Mekanizmit Strategjik Türkiye-SHBA.
"Në kuadër të Mekanizmit Strategjik me Çavuşoğlun diskutuam për shumë çështje të rëndësishme. Pres me padurim vazhdimin e koordinimit për përgjigjen e NATO-s ndaj luftës pa arsye të Rusisë kundër Ukrainës, për Sirinë dhe në shumë çështje të tjera", tha Blinken.