Ministri i Punëve të Jashtme të Türkiyes, Mevlüt Çavuşoğlu, gjatë një konference për shtyp me Sekretarin e Shtetit të ShBA-së, Antony Blinken, në Ankara ka deklaruar se tregtia dypalëshe midis dy vendeve po vazhdon gjithnjë e më shumë, duke kërkuar heqjen e sanksioneve në fushën e industrisë së mbrojtjes.
“Finalizimi i marrëveshjes së shitjes së avionëve luftarakë F-16 është i dobishëm për të dyja palët. Lufta kundër terrorizmit është prioritet në agjendën reciproke, mirëpo nuk do të jetë e mundur të blihet F-16 nga ShBA-ja në bazë të kushteve ku duart tona janë të lidhura”, tha Çavuşoğlu.
Sipas Çavuşoğlut, nuk duhet të pritet një fatkeqësi tjetër për të përmirësuar lidhjet, duke kërkuar që të ndërmerren hapa konkretë dhe të sinqertë për të përmirësuar marrëdhëniet Türkiye-ShBA.
Duke kujtuar angazhimet e ShBA-së në Siri, ministri i Jashtëm Çavuşoğlu theksoi se nuk është korrekte të bashkëpunohet me një organizatë terroriste si PKK/YPG kundër DAESh-it.
Ministri i Jashtëm turk Çavuşoğlu i bën thirrje ShBA-së të luftojë së bashku çdo lloj terrorizmi a grupi terrorist, dhe njëkohësisht kërkon që ShBA-ja të përmbushë përgjegjësitë nga marrëveshja e vitit 2019.
Lidhur me konfliktin ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, Çavuşoğlu deklaroi se nuk do të lejojnë që sanksionet e ShBA-së dhe të BE-së (kundër Rusisë) të depërtojnë përmes Türkiyes, ashtu siç nuk do të lejojnë të anashkalohen sanksionet.
Blinken: Qëndrojmë krah për krah në përballjen me sfidat e përbashkëta të sigurisë
Nga ana tjetër, Sekretari i Shtetit amerikan Antony Blinken pohon se ShBA-ja është e përkushtuar të ofrojë mbështetje për Türkiyen e goditur nga tërmeti.
“Ne qëndrojmë krah për krah në përballjen me sfidat e përbashkëta të sigurisë, thotë Sekretari amerikan i Shtetit Blinken ndërsa përshëndet rolin e Türkiyes në mbështetjen e Ukrainës”, tha Blinken.
Blinken u referohet fjalëve të presidentit amerikan Joe Biden ku thotë se “aftësia e përbashkët operacionale e Türkiyes dhe e NATO-s është gjithmonë e rëndësishme për ne".
Në vazhdim Blinken sqaroi se për administratën e Bidenit dhe Türkiyes është "interes kombëtar dhe interes i sigurisë" që të përmirësojë F-16 ekzistues dhe t'i sigurojë Türkiyes të reja.