Çavuşoğlu: Delegacioni turk do të vizitojë Rusinë javën e ardhshme / Foto: AA

Një delegacion turk do të vizitojë kryeqytetin e Rusisë javën e ardhshme për bisedime teknike përpara takimit të planifikuar të kryediplomatëve të Türkiyes, Rusisë, Sirisë dhe Iranit, tha të mërkurën Ministri i Jashtëm i Türkiyes, Mevlüt Çavuşoğlu.

“Një ofertë erdhi nga rusët për të mbajtur një takim në nivelin teknik në përgatitje për një takim të mundshëm të ministrave të jashtëm. Ne gjithashtu do të dërgojmë zëvendësministrin tonë në Moskë javën e ardhshme”, tha Mevlüt Çavuşoğlu në një konferencë për media me homologun e tij iranian Hossein Amir Abdollahian në Ankara.

Çavuşoğlu tha se i vetmi mekanizëm i mbijetuar për Sirinë është formati i Astanës.

“Prandaj, ne u thamë rusëve se nuk ka asgjë të keqe lidhur me pjesëmarrjen e Iranit”, shtoi ai.

Më 28 dhjetor 2022, ministrat e mbrojtjes turke, ruse dhe siriane u takuan në Moskë për të diskutuar përpjekjet kundër terrorizmit në Siri dhe ranë dakord të vazhdojnë takimet trepalëshe për të siguruar stabilitet në Siri dhe më gjerë në rajon.

Për mundësinë e përfshirjes së Iranit në bisedime, Türkiye tha më parë se Ankaraja do të ishte "e kënaqur nëse Irani përfshihet në këtë proces".

Edhe pse ende nuk është shpallur data apo vendi, takimi i ministrave të jashtëm do të shënonte një tjetër bisedë të nivelit të lartë që nga fillimi i luftës në Siri në 2011.

AA