Autoritetet nga Türkiye dhe Franca diskutuan ngjarjet e fundit të dhunshme në Paris, njoftoi të enjten Ministria e Jashtme turke.
Në një bisedë telefonike me homologen franceze Catherine Colonna, ministri i jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu nënvizoi se Franca tani po e sheh “fytyrën e vërtetë” të organizatave terroriste, pas protestave të dhunshme të përkrahësve të PKK-së në Paris që lanë dhjetëra të lënduar.
Çavusoglu i tha Colonnas se “propaganda e zezë” kundër Ankarasë që nga shpërthimi i dhunës ishte e papranueshme dhe kërkoi nga Parisi të mos lejojë përhapjen e saj.
Ai potencoi më tej se është e papranueshme që politikanët francezë të paraqiten në fotografi ku shihen udhëheqësit dhe banerët e grupit terrorist pas tyre.
Të premten e kaluar, përkrahësit e grupit terrorist PKK u grumbulluan në vendin e sulmit në kryeqytetin francez, duke kryer akte dhune dhe duke u përplasur me sigurimin në protesta që vazhduan në ditët e ardhshme dhe lanë të lënduar 31 oficerë policorë dhe një protestues.
Autoritetet arrestuan 11 persona.
PKK-ja është njohur si organizatë terroriste nga Türkiye, BE-ja dhe ShBA-ja, dhe është përgjegjëse për vdekjen e rreth 40 mijë njerëzve, përfshirë gra dhe fëmijë.
Edhe pse zyrtarisht i njohur si grup terrorist, dhuna e javës së kaluar tregoi se PKK hapur mban terren të rrezikshëm në Evropë.