Ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlüt Çavuşoğlu, pas takimit të tij në Ankara me homologen e tij shqiptare, Olta Xhaçka, ka bërë të ditur se Türkiye dhe Shqipëria do të nënshkruajnë një sërë marrëveshjesh në takimin e ardhshëm të këshillit të bashkëpunimit strategjik të nivelit të lartë.
Duke folur në një konferencë të përbashkët me ministren Xhaçka, ministri Çavuşoğlu përshëndeti lidhjet e forta mes dy vendeve, si dhe theksoi se në takim kanë diskutuar mbi takimin e ardhshëm të këshillit të bashkëpunimit strategjik të nivelit të lartë.
Energjia e rinovueshme, rrjetet e transportit, industria e mbrojtjes, siguria kibernetike, shëndetësia dhe bujqësia janë temat që do të trajtohen në mbledhjen e këshillit.
Sa i përket vëllimit të tregtisë dypalëshe, Çavuşoğlu tha se Türkiye pret që vëllimi i tregtisë të kalojë 1 miliardë dollarë në vitin 2022 duke marrë parasysh “numrat nga tetë muajt e parë të këtij viti”.
Ai po ashtu shprehu dëshirën për të mbajtur Komisionin e Përbashkët Ekonomik, që u mbajt dy vjet më parë.
“Si Türkiye, ne jemi numër një në Shqipëri me investimet që kemi bërë në vend”, shtoi ai.
Të dy zyrtarët trajtuan edhe mënyrat për të përmirësuar më tej lidhjet në sektorë të tjerë, përfshirë industrinë e mbrojtjes, ndërsa Çavuşoğlu shprehu gatishmërinë e Türkiyes për të forcuar kapacitetin e mbrojtjes së Shqipërisë.
“Ne kemi diskutuar edhe çështjen e FETO-s”, tha Çavuşoğlu, duke shtuar se grupi terrorist, që qëndron pas grusht shtetit të dështuar të vitit 2016 në Türkiye, nuk është vetëm një kërcënim për Türkiyen, por edhe për vendet e tjera ku organizata terroriste është aktive.
Ai gjithashtu tha se Ankaraja pret që Tirana të përfundojë procesin gjyqësor për themeluesin e arratisur turk të shkëmbimit të kriptovalutave, ku procesi i pestë gjyqësor do të mbahet 10 nëntor.
Xhaçka: Jemi mirënjohës që kemi pasur mbështetjen e Türkiyes
Ministrja Xhaçka ka theksuar se shqiptarët dhe turqit ndajnë shumë histori, shumë miqësi, jo vetëm në nivel zyrtar, por mbi të gjitha në nivel njerëzor.
Ajo shtoi se janë mirënjohës që kanë pasur mbështetjen e Türkiye-s gjatë momenteve të vështira, siç theksoi ajo, “ku dua të nënvizoj dy nga rastet më të rëndësishme, ndihmën dhe mbështetjen bujare për rindërtimin tonë pas tërmetit tragjik të nëntorit 2019, por dhe ndihmën bujare gjatë pandemisë së COVID-19".
"Takimi ynë i sotëm vjen edhe në kuadër të Grupit për Dialog Politik dhe shënon nisjen zyrtare të tij, siç parashikohet në deklaratën për partneritetin strategjik. Në takimin tonë u ndalëm në përgatitjet për takimin e ardhshëm të Nivelit të Lartë të Këshillit të Bashkëpunimit, i cili do të drejtohet nga presidenti Erdoğan dhe kryeministri Rama", tha Xhaçka.
Ajo tha se sot diskutuan konkretisht mbi bashkëpunimin në fushat e ekonomisë dhe tregtisë dhe shtoi se i ka kërkuar homologut të saj turk që të ndihmojë në përshpejtimin e procedurave të brendshme në Türkiye për të finalizuar hyrjen në fuqi të marrëveshjes për njohjen e lejeve të drejtimit.
Ajo tha se i ka shprehur kryediplomatit turk vlerësimin e lartë për lobimin e fuqishëm të Türkiye-s për njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizatat rajonale dhe globale.
"Lidhur me situatën në Ukrainë, ne vlerësojmë rolin e Türkiye-s dhe rolin udhëheqës personal te presidentit Erdoğan, për arritjen e një marrëveshjeje mes Ukrainës dhe Rusisë, përmes ‘Iniciativës së Detit të Zi’ për eksportin e grurit nga Ukraina nën garancinë e Kombeve të Bashkuara dhe Türkiyes, duke kontribuar kështu në parandalimin e krizave ushqimore në të gjithë botën", tha Xhaçka.
1 Nën 2022
Çavuşoğlu e Xhaçka takohen në Ankara
Kryediplomatja e Shqipërisë, Olta Xhaçka, po qëndron në vizitë zyrtare në Türkiye.
AA
Lajme të ngjashme
Artikujt në këtë kategori
Türkiye dhe Hungaria do ta rinovojnë marrëveshjen e gazit për 2025-2026
“Bashkëpunimi i mëtejshëm me (kompaninë turke të energjisë) BOTAS është shumë i rëndësishëm.Ne po punojmë aktualisht për të rinovuar marrëveshjen e vitit të kaluar", tha Fritsch, kryeshefi i kompanisë shtetërore energjetike të Hungarisë MVM CEEnergy.
Erdoğan: Energjia, transporti dhe komunikimi, lokomotiva të zhvillimit
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, gjatë Forumit Energjetik në Istanbul theksoi se sigurimi i energjisë së mjaftueshme, cilësore dhe të pastër me çmime të përballueshme dhe pa ndërprerje, është me rëndësi kritike për të gjitha vendet.
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore