Çavuşoğlu: Kemi parë solidaritet dhe bujari të madhe pas tërmetit / Foto: AA

Türkiye pa "solidaritetin dhe bujarinë e pamasë" të komunitetit ndërkombëtar pas tërmeteve masive të muajit të kaluar, tha të hënën Ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu.

"Ne pamë solidaritetin dhe bujarinë e pamasë të komunitetit ndërkombëtar. Ekipet e shpëtimit nga e gjithë bota e vënë veten në rrezik për të shpëtuar viktimat. Jemi mirënjohës. Nuk do t'i harrojmë kurrë duart ndihmëse të miqve tanë”, tha Çavuşoğlu në Konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve në Bruksel.

Türkiye tani po kalon në fazën e rimëkëmbjes dhe rindërtimit, tha Çavuşoğlu, duke shtuar se rritja e rezistencës dhe përgatitjes ndaj fatkeqësive është njëri nga qëllimet e vendit.

Përmbushja e nevojave të njerëzve në situata të vështira do të jetë prioritet, u zotua ai.

"Tërmetet goditën 1,7 milionë refugjatë dhe emigrantë sirianë që jetojnë në 11 provincat tona. Ata gjithashtu do të përfitojnë nga këto përpjekje në një mënyrë gjithëpërfshirëse”, theksoi kryediplomati turk.

Konferenca u organizua nga Komisioni Evropian dhe Presidenca Suedeze e Këshillit të Bashkimit Evropian për të mbështetur viktimat e prekura nga tërmetet shkatërruese të 6 shkurtit në Türkiyen jugore.

Tërmetet me magnitudë 7,7 dhe 7,6 goditën 11 provinca - Kahramanmaraş, Hatay, Gaziantep, Adiyaman, Malatya, Adana, Diyarbakir, Kilis, Osmaniye, Sanliurfa dhe Elazig - në Türkiyen jugore dhe juglindore dhe morën jetën e mbi 50.000 njerëzve.

Më shumë se 13,5 milionë njerëz në Türkiye janë prekur nga tërmetet shkatërruese, si dhe shumë të tjerë në Sirinë veriore.

AA