Një takim i mundshëm në nivel të krerëve të shteteve për Sirinë me shumë gjasa do të mbahet këtë vit, tha në një intervistë televizive Ministri i Jashtëm i Türkiyes Mevlüt Çavuşoğlu.
Kryediplomati turk tha se në fazën tjetër pas takimit katërpalësh të së mërkurës për Sirinë midis Ankarasë, Moskës, Teheranit dhe Damaskut, “ka në plan të mbajë një takim në nivelin e krerëve të shteteve”.
“Kjo ka shumë të ngjarë të bëhet në vitin 2023,” shtoi ai.
Lidhur me takimin e ardhshëm të nivelit të ministrave të Jashtëm për Sirinë në kryeqytetin rus Moskë, Çavuşoğlu tha se bisedimet do të fillojnë të mërkurën në mëngjes dhe do të ketë gjithashtu bisedime dypalëshe. Irani ka konfirmuar se do të marrë pjesë në nivel ministror.
“Qëllimi parësor i këtij angazhimi është ringjallja e procesit politik. Pa këtë proces dhe zgjidhje politike, konflikti në vend mund të vazhdojë me dekada,” tha ai.
Për më tepër, siç tha Çavuşoğlu, ky angazhim është “jetikisht i rëndësishëm” që sirianët në Türkiye të kthehen në shtëpitë e tyre, tha ai.
Gjithashtu, një tjetër pikë e rendit të ditës së takimit është lufta kundër terroristëve në rajon, tha ai duke shtuar se lufta kundër organizatave terroriste DAESh dhe PKK/YPG është shumë e rëndësishme si për Türkiyen, ashtu edhe për Sirinë.
Ai shtoi se në takim ka tema për t'u trajtuar, siç janë çështjet humanitare dhe është e nevojshme të bashkëpunohet me regjimin për këto çështje.
Duke kujtuar angazhimin e Türkiyes për integritetin territorial dhe sovranitetin e Sirisë, ai tha: “Türkiye është një nga vendet që më së shumti mbështet integritetin territorial të Sirisë. Kjo çështje është me rëndësi jetike për Ankaranë.”
Duke deklaruar se duhet të ndërmerren hapa për të siguruar unitetin në Siri dhe duhet të ndërmerren veprime të përbashkëta në këtë drejtim, ai tha: “Siria ka nevojë për një normalizim të përhershëm dhe ne duam të kontribuojmë në të.”
Dhjetorin e kaluar, ministrat e mbrojtjes dhe shefat e inteligjencës së Türkiyes, Rusisë dhe regjimit sirian u takuan në Moskë dhe ranë dakord të vazhdojnë takimet trepalëshe për të siguruar stabilitetin në Siri dhe rajonin më të gjerë.
Në bisedime u përfshi edhe Irani, ku Türkiye tha më herët se Ankaraja do të ishte “e kënaqur nëse Irani përfshihet në këtë proces”.
Përveç kësaj, duke përsëritur përpjekjet e Türkiyes për normalizimin e marrëdhënieve me Armeninë, Çavuşoğlu tha se qëllimi i tyre është të ndërmarrin disa hapa drejt normalizimit me Armeninë dhe të kontribuojnë në negociatat e paqes midis Armenisë dhe Azerbajxhanit.
I pyetur për inaugurimin e “Monumentit të Nemesis” në kryeqytetin armen Jerevan, ai tha se me monumentin, Armenia tregoi edhe një herë se “nuk është e sinqertë në procesin e normalizimit”.
Monumenti u kushtohet autorëve të atentateve kundër udhëheqësve politikë dhe ushtarakë osmanë në fillim të viteve 1920, si dhe zyrtarëve të Azerbajxhanit të asaj kohe dhe madje edhe disa shtetasve osmanë me origjinë armene, sipas Ministrisë së Jashtme turke.
Çavuşoğlu theksoi gjithashtu se “nuk është e pranueshme të ngrihet statuja e terroristëve që martirizuan diplomatë, zyrtarë osmanë dhe azerbajxhanas”.
Türkiye paralajmëroi Armeninë se do të ndërmarrë “hapat e nevojshëm” nëse nuk e heq statujën, tha ai.