Türkiye ka mbështetur gjithmonë një zgjidhje politike të konfliktit sirian, tha ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu.
“Regjimi (sirian) nuk beson në një zgjidhje politike, ai beson në një zgjidhje ushtarake. Zgjidhja e përhershme është ajo politike. Këtë e kemi thënë që në fillim”, theksoi Çavuşoğlu në konferencën për media me kolegun e tij letonez Edgars Rinkevičs të mbajtur në Ankara.
Mes tjerash ai theksoi se beson se pajtimi është çelësi për paqen e qëndrueshme në Siri, Çavuşoğlu shtoi se Ankaraja mbështet fuqishëm integritetin territorial dhe sovranitetin e Sirisë.
Marrëdhëniet me Letoninë
Çavuşoğlu tha se Ankaraja dhe Riga gëzojnë marrëdhënie "të frytshme", duke shtuar se të dy vendet i kushtojnë rëndësi dialogut politik për të rritur bashkëpunimin bilateral.
"Ne po bëjmë gjithashtu përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet tona ekonomike. Prandaj, pavarësisht pandemisë, vëllimi i tregtisë dypalëshe u rrit me rreth 50 për qind vitin e kaluar. Kur shikojmë gjashtë muajt e parë të këtij viti, kjo rritje vazhdon", njoftoi Çavuşoğlu.
Ai theksoi se turistët letonezë zgjedhin Türkiye-n për pushime dhe tha se, "Fakti që turistët letonezë vazhdojnë të vijnë në vendin tonë dhe që numri i tyre rritet është i dobishëm për të dyja palët".
Rinkēvičs, nga ana tjetër, tha se Türkiye është një "aleate e vlefshme" e Letonisë.
Ai shtoi se ka potencial për të rritur bashkëpunimin ekonomik midis Ankarasë dhe Rigës.
Eksportet e grurit nga Ukraina
Për eksportet e grurit nga portet ukrainase sipas marrëveshjes historike midis Türkiye-s, OKB-së, Rusisë dhe Ukrainës, Çavuşoğlu tha se marrëveshja deri më tani po zbatohet pa asnjë problem.
"Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të vazhduar procesin", shtoi ai.
Më 22 korrik, Türkiye, OKB, Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje në Istanbul për të rihapur tre porte ukrainase të Detit të Zi për eksportimin e grurit ukrainas të bllokuar për shkak të luftës Rusi-Ukrainë, e cila tani është në muajin e saj të gjashtë.
Për të mbikëqyrur procesin, më 27 korrik zyrtarisht u formua Qendra e Përbashkët e Koordinimit në Istanbul, e përbërë nga përfaqësues të tre vendeve dhe nga OKB-ja për të mundësuar transportin e sigurt të produkteve ushqimore dhe plehrave nga anijet tregtare.
Që nga nisja e parë më 1 gusht, gjithsej 21 anije që transportonin grurë janë larguar nga portet e Ukrainës sipas marrëveshjes historike.
Ministri Rinkēvičs, nga ana e tij, tha se eksportimi i grurit nga Ukraina nuk është i rëndësishëm vetëm për rajonin, por edhe për botën. Ai shtoi se Letonia do të vazhdojë bashkëpunimin në këtë drejtim.
Ai tha se Letonia mbështet fuqishëm Ukrainën në luftën kundër Rusisë, duke theksuar: "Ne duhet të ndalojmë agresionin rus".