Ministri i Jashtëm i Türkiyes, Mevlüt Çavuşoğlu, lidhur me propagandën e mbështetësve të organizatës terroriste PKK në Stockholm që vendos në objektiv presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, tha se PKK/YPG-ja po vendos mina në rrugën e anëtarësimit të Suedisë në NATO.
Ministri Çavuşoğlu mori pjesë në transmetim të drejtpërdrejtë në TRT Haber dhe bëri deklarata lidhur me vendosjen në objektiv të Presidentit Erdoğan nga një grup mbështetësish të organizatës terroriste PKK, të cilët u mblodhën para ndërtesës historike të bashkisë në kryeqytetin e Suedisë, Stockholm.
Organizata terroriste PKK/YPG, sipas Çavuşoğlut vazhdon propagandën e saj terroriste në Suedi.
“Objektivat e tyre nuk janë vetëm presidenti, por objektivi i vërtetë i organizatës terroriste është Türkiye, dhe objektivi i dytë të pengojë anëtarësimin e Suedisë në NATO. Vazhdojnë të provokojnë për të penguar anëtarësimin e Suedisë në NATO", tha kryediplomati turk.
Ai theksoi se propaganda e fundit terroriste është kryer para ndërtesës së bashkisë, në qendrën e qytetit, në një vend ku mund ta shikojnë të gjithë dhe kjo nuk mund të ketë justifikim.
"Nuk mund të qëndronim pa reagim ndaj kësaj. Kolegët tanë thirrën në ministri ambasadorin e Suedisë në Ankara dhe treguan reagimin e nevojshëm. Po ashtu, edhe ambasadori ynë në Stockholm ndërmori iniciativa në Stockholm dhe përcolli reagimin e Türkiyes. Nga Suedia duhet të përmbushen pritshmëritë tona. Duhet të ndërmarrin hapat e nevojshëm në luftën kundër terrorizmit", tha Çavuşoğlu, duke theksuar se propaganda e terrorizmit në Suedi duhet të pengohet.
Çavuşoğlu rikujtoi se Suedia u ka premtuar për luftën kundër organizatave terroriste dhe më tej bëri vlerësimin se "Te qeveria e re kemi vërejtur hapa pozitivë edhe deklarata pozitive, në krahasim me qeverinë e mëparshme janë pak më të vendosur, por vendosmëria nuk tregohet me fjalë, duhet të shikojmë veprime. Duhet të përmbushin përgjegjësitë e tyre".
"PKK/YPG-ja po vendos mina në rrugën e anëtarësimit të Suedisë në NATO. Edhe pastrimi i këtyre minave, edhe shkelja mbi to me vetëdije është preferencë e Suedisë", deklaroi Çavuşoğlu i cili ka shtuar se aleatët e NATO-s duhet të kuptojnë shqetësimet e Türkiyes për terrorizmin, dhe se Suedia dhe Finlanda duhet ta kuptojnë më shumë Türkiyen në këtë çështje.
Pasi nënvizoi se ajo që u bë nuk përfshihet në lirinë e shprehjes, por se është një propagandë terrorizmi, Çavuşoğlu tha se "Është plotësisht një turp që kjo është mbajtur në qendër të qytetit, para bashkisë. ‘Çfarë do të thotë kjo?‘ Do të thotë se autoritetet suedeze po e tolerojnë dhe po e lejojnë këtë. Nuk mund ta bëjnë këtë nëse ata nuk i lejojnë".