Çavuşoğlu pret Konakoviqin, mirënjohje për ndihmën nga Bosnjë e Hercegovina / Photo: AA

Ministri i Jashtëm i Türkiyes, Mevlüt Çavuşoğlu, tha se pas tërmeteve me qendër në Kahramanmaraş, ekipet e kërkim-shpëtimit nga Bosnjë e Hercegovina në zonën e tërmetit shpëtuan 26 persona nga rrënojat.

Ministri Çavuşoğlu mbajti një konferencë të përbashkët për medie me Ministrin e Jashtëm të Bosnjë e Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, pas takimit dypalësh në Ministrinë e Jashtme në Türkiye.

Çavuşoğlu falënderoi Bosnjë e Hercegovinën për mesazhet e solidaritetit dhe për ekipet e kërkim-shpëtimit që i ka nisur menjëherë drejt zonave të tërmetit.

"13 ekipe kërkim-shpëtimi me 234 persona nga Bosnja dhe Hercegovina erdhën në Türkiye menjëherë pas tërmetit. Ata po punojnë dhe kanë shpëtuar 26 persona nga rrënojat. Ata dërguan edhe tenda për të prekurit nga tërmeti dhe premtuan ndihmë financiare", tha kryediplomati turk.

Ministri i Jashtëm i Bosnjë e Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, nga ana tjetër tha se emocioni dhe vendosmëria për t' ndihmuar popullit turk janë të padiskutueshme. Ai kujtoi se në të gjitha krizat në historinë e Bosnjë e Hercegovinës, të parët që i dolën në ndihmë ishin kryesisht përfaqësuesit e qeverisë turke dhe tha se janë mirënjohës për këtë. Konakoviq kujtoi gjithashtu përmbytjet që goditën Bosnjë e Hercegovinën në vitin 2014.

"Ekipet turke ishin ndër të parat ose të parat në terren së bashku me tonat në shpëtimin e jetëve njerëzore. Jam krenar për faktin se Bosnjë e Hercegovina është ndër vendet që dërguan më së shumti njerëz në ekipet e tyre të shpëtimit dhe që këto ekipe tashmë kanë dëshmuar veten duke shpëtuar disa jetë. Krahasuar me ekonomitë kryesore botërore, ne nuk jemi një vend aq i zhvilluar dhe një ekonomi e fortë, por emocioni dhe vendosmëria jonë për të qenë me popullin dhe qeverinë e Türkiyes në këtë moment është vërtet e padiskutueshme", tha Konakoviq.

Përveç për insititucionet e Bosnjë e Hercegovinës, Çavuşoğlu shprehu mirënjohje edhe për popullin e këtij shteti për solidarizimin e sinqertë me Türkiyen. Kryediplomati turk përmendi edhe rastin e 12-vjeçarit Benjamin Mehanoviq i cili shiste çaj në rrugët e Sarajevës për të mbledhur ndihma për të prekurit nga tërmeti në Türkiye.

AA