Çavusoglu: Rënia e besimit mes shteteve po e rrezikon OSBE-në.     Foto: AA

Nën hijen e luftës në Ukrainë, rënia e besimit mes shteteve ka bërë që OSBE-ja të përballet me “krizë ekzistenciale”, tha Ministri i Jashtëm turk.

“Këtë vit jemi mbledhur nën rrethana të jashtëzakonshme për shkak të luftës në Ukrainë. Respekti për integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë politike janë në bërthamën e Kombeve të Bashkuara dhe një nga principet bazë të OSBE-së”, tha Mevlut Çavuşoğlu gjatë fjalimit të tij në takimin e Këshillit Ministror të OSBE-së në Lodz të Polonisë.

Ai tha se rënia e besimit e ka sjellur OSBE-në në përballje me krizën ekzistenciale dhe kjo ka rezultuar në polarizim të thellë. Çavuşoğlu shtoi se OSBE-ja është product i një periudhe më të poralizuar si Lufta e Ftohtë.

“Duhet të mbajmë mend se parimi i konsensusit është në zemrën e kësaj organizate”, tha ai, duke vlerësuar Ministrin e Jashtëm polak Zbigniew Rau për fokusimin në rëndësinë e adresimit të mungesës së besimit mes vendeve anëtare të OSBE-së.

“Besimi mund të ndërtohet mbi parimet. Kështu lehtësimi ynë (i Türkiyes) dha rezultate konkrete në sfidat më urgjente në gjeografinë tonë të përbashkët”, shpjegoi Çavuşoğlu.

Ai përmendi gjithashtu iniciativën historike për drithin nga Deti i Zi të arritur në Istanbul, marrëveshjen për shkëmbimin e të burgosurve, si dhe bisedimet mes kompanisë bërthamore ruse Rosatom dhe Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike (IAEA) si fryte të përpjekjeve të Türkiyes për ndërmjetësim.

“Ka edhe nisma të tjera konfidenciale të cilat po i ndërmjetësojmë për dhënien fund luftës në Evropë. Marrëveshja sigurisht se është e mundshme kur i jepet shans diplomacisë”, theksoi Çavuşoğlu.

Ai tha se minimi i platformës së OSBE-së nuk është në interes të askujt dhe Türkiye do të vazhdojë të mbështesë aktivisht punën e OSBE-së sepse është platforma më gjithëpërfshirëse.

AA