Organizata e Shteteve Turke shprehu solidaritet të fortë pas tërmeteve të muajit të kaluar që goditën rajonin jugor të Türkiyes, tha të enjten (16 mars), ministri i jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu.
“Bota e madhe turke u pikëllua shumë për vëllezërit e vet të humbur në tërmet. Megjithatë, ju nuk ndatë vetëm pikëllimin tonë. Ju keni shfaqur shembullin më të mirë të diplomacisë solidare”, tha Çavuşoğlu, në fjalimin e hapjes së takimit të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Organizatës së Shteteve Turke (OShT) në kryeqytetin Ankara.
Takimi erdhi në prag të samitit të jashtëzakonshëm të liderëve të OShT-së, i cili do të mblidhet nën temën e Menaxhimit të Fatkeqësive e të Emergjencave dhe të Ndihmës Humanitare.
“Si kolegët e mi, ju personalisht keni treguar mbështetjen tuaj. Ju dërguat ekipet e kërkim-shpëtimit dhe spitalet fushore”, tha Çavuşoğlu.
Më 6 shkurt, tërmetet me magnitudë 7,7 dhe 7,6 goditën 11 provinca - Adana, Adiyaman, Diyarbakir, Elazig, Hatay, Gaziantep, Kahramanmaras, Kilis, Malatya, Osmaniye dhe Sanliurfa, duke marrë jetën e të paktën 48.448 njerëzve.
Më shumë se 13,5 milionë njerëz në Türkiye janë prekur nga tërmetet shkatërruese, si dhe shumë të tjerë në Sirinë veriore.
Çavuşoğlu tha se organizata po zgjeron bashkëpunimin në fusha të reja.
“Ne kemi zbatuar projekte në shkallë të gjerë energjetike si tubacioni i naftës Baku-Tbilisi-Ceyhan dhe TANAP (Trans-Anatolian Gaz Natyror Pipeline) së bashku. Ne duhet të rrisim bashkëpunimin që TANAP-i të transportojë gaz natyror shtesë nga rajoni i Kaspikut në tregun ndërkombëtar”, shtoi ai.
Ministri tha se në këtë periudhë, kur Azia të dalë sërish në plan të parë, organizata duhet të rrisë peshën e “Korridorit të Mesëm” në tregtinë globale.
Duke iu kthyer çështjeve rajonale, Çavuşoğlu tha se lufta në Ukrainë dhe zhvillimet në Afganistan janë të lidhura ngushtë me organizatën.
“Ne duhet të forcojmë unitetin tonë. Fakti që Republika Turke e Qipros Veriore (RTQV) është mes nesh si vëzhguese është shumë domethënëse në këtë drejtim,” shtoi ai.
Njohja e barazisë sovrane, të drejtave dhe statusit të barabartë ndërkombëtar të popullit turk qipriot, si dhe heqja e izolimit dhe e kufizimeve që i nënshtrohet RTQV-së duhet të jenë qëllimi i përbashkët, theksoi Çavuşoğlu.
OShT-ja, e quajtur më parë Këshilli Turk, është një organizatë ndërkombëtare që përfshin vende të shquara të pavarura turkofone që punojnë së bashku për të ngritur marrëdhëniet dhe bashkimin mes tyre.
Anëtarët e saj janë Türkiye, Azerbajxhani, Kazakistani, Kirgistani dhe Uzbekistani, ndërsa shteti i BE-së Hungaria, Turkmenistani dhe Republika Turke e Qipros Veriore kanë statusin e vëzhguesit.