Çavuşoğlu: Türkiye dhe Afrika e Jugut ndajnë një të ardhme të ndritur

Çavuşoğlu: Türkiye dhe Afrika e Jugut ndajnë një të ardhme të ndritur

Kryediplomati turk të dielën e filloi turneu pesëditore në Afrikë.
Çavuşoğlu: Türkiye dhe Afrika e Jugut ndajnë një të ardhme të ndritur. / Photo: Mevlüt Çavuşoğlu/Twitter

E ardhmja e bashkëpunimit midis Türkiyes dhe Afrikës së Jugut është e ndritshme për shkak të vlerave të tyre të përbashkëta historike, kulturore dhe vizionit global, tha ministri i Jashtëm i Türkiyes, Mevlüt Çavuşoğlu.

"Ne do të vazhdojmë të jemi në unitet dhe solidaritet me Afrikën e Jugut për të gjeneruar paqe, stabilitet dhe prosperitet në rajonet tona dhe më gjerë", deklaroi ministri Çavuşoğlu, në një artikull për faqen e lajmeve IOL të Afrikës së Jugut.

Çavuşoğlu aktualisht ndodhet në një turne në pesë vende në Afrikë, i cili filloi të dielën me ndaljen e tij të parë në Afrikën e Jugut, ku ai vizitoi Xhaminë Nurul Hamidiye në Cape Town, të quajtur sipas Sulltan Abdulhamid II. Xhamia u rinovua nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).

Ai vizitoi edhe varrezat Tana Baru, ku ndodhet varri i dijetarit islam osman, Abu Bakr Effendi. Çavuşoğlu inauguroi edhe zyrtarisht Konsullatën e Përgjithshme turke në Cape Town.

Të hënën ai vizitoi varrin e konsullit të fundit të përgjithshëm osman Mehmet Remzi Beu në varrezat Braamfontein në Johanesburg.

Kryediplomati turk tha se vizioni i përbashkët i Türkiyes dhe Afrikës së Jugut për çështjet globale luan një rol të rëndësishëm në avancimin e marrëdhënieve të tyre.

Çavuşoğlu tha se Türkiye ndan të njëjtat pritshmëri si Afrika e Jugut drejt një rendi global të drejtë dhe efikas të bazuar në multilateralizëm efektiv, duke përfshirë një reformë strukturore të sistemit të OKB-së për të siguruar që zëri i Afrikës të dëgjohet nga komuniteti ndërkombëtar.

Si anëtare të G-20, Türkiye dhe Afrika e Jugut kanë një përgjegjësi historike, që rrjedh nga mësimet e nxjerra nga betejat e tyre historike, për të mbrojtur dhe për të përhapur frymën e paqes, respektit dhe bashkëpunimit në të gjitha rajonet e tyre dhe globalisht, shkroi Çavuşoğlu.

AA