Çavuşoğlu: Türkiye do ta bëjë pjesën e saj që ECO-ja të jetë më efektive

Çavuşoğlu: Türkiye do ta bëjë pjesën e saj që ECO-ja të jetë më efektive

Organizata e Bashkëpunimit Ekonomik (ECO), është themeluar në vitin 1985 nga Türkiye, Pakistani dhe Irani.
Çavusoglu: Türkiye do ta bëjë pjesën e saj që ECO-ja të jetë më efektive.       / Photo: Mevlüt Çavuşoğlu/Facebook

Türkiye do të vazhdojë të bëjë pjesën e saj për ta bërë Organizatën e Bashkëpunimit Ekonomik (ECO) "më efektive", tha kryediplomati turk Mevlüt Çavuşoğlu.

"Türkiye do të vazhdojë të bëjë pjesën e saj për ta bërë ECO-n më efektive dhe për të arritur pjesën e saj të vërtetë në ekonominë botërore. Ne e dimë se ky është një synim ambicioz”, tha Çavuşoğlu në takimin e 26-të të Këshillit të Ministrave të ECO-s në kryeqytetin uzbek Tashkent.

Çavuşoğlu tha se me një vullnet të fortë, anëtarët e organizatës do ta forcojnë atë përballë mjedisit aktual sfidues global.

ECO-ja është një organizatë ndërqeveritare politike dhe ekonomike e themeluar nga Türkiye, Pakistani dhe Irani në 1985 për të shërbyer si një platformë për të diskutuar dhe përmirësuar zhvillimin dhe për të promovuar mundësitë e tregtisë dhe investimeve. Aktualisht ka shtatë anëtarë të tjerë: Afganistani, Azerbajxhani, Kazakistani, Kirgistani, Taxhikistani, Turkmenistani dhe Uzbekistani.

"Sot, ekonomia globale përballet me sfida të mëdha. Çmimet e ushqimit dhe energjisë janë vazhdimisht në rritje. Ka ndërprerje dhe ndryshime në zinxhirët e furnizimit global. Rritja ekonomike globale nuk është rikuperuar plotësisht. Për të kapërcyer këto sfida, ne duhet të përshpejtojmë bashkëpunimin tonë ekonomik”, tha Çavuşoğlu.

Ai shtoi se vendet anëtare duhet të përmirësojnë rrjetet e transportit dhe logjistikës dhe të përdorin plotësisht instrumentet për të përmirësuar tregtinë rajonale, siç është Marrëveshja Tregtare e Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik, e njohur si ECOTA.

“Ne duhet të vazhdojmë përpjekjet tona në vitin 2023 për ta kthyer ECO-në në një organizatë më efektive dhe më të dukshme”, theksoi ai.

Duke iu kthyer Republikës Turke të Qipros Veriore (TRNC), e cila është ndër tre vëzhguesit e ECO-së, Çavusoglu tha: "Është, në fakt, vëzhguesi më aktiv në kontributin e tij në punën tonë të përbashkët. Për 11 vitet e fundit, Vëllezërit qipriotë turq morën pjesë dhe folën në të gjitha takimet e nivelit të lartë të ECO-s."

Takimet anësore

Në margjinat e takimit, Çavusoglu u takua me homologun pakistanez Bilawal Bhutto Zardari për të diskutuar bashkëpunimin ekonomik dhe të mbrojtjes, si dhe zhvillimet rajonale.

Çavusoglu diskutoi gjithashtu marrëdhëniet midis Türkiyes dhe Uzbekistanit në fushat e ekonomisë, kulturës dhe arsimit me Bahtiyor Saidov, ministrin e Jashtëm të vendit të Azisë Qendrore.

Pas një takimi të veçantë me dyer të mbyllura në margjinat me ministrin e Jashtëm të TRNC-së, Tahsin Ertugruloglu, kryediplomati turk Çavusoglu shprehu gjithashtu mbështetjen e plotë të Türkiyes për TRNC.

TRT Balkan / agjencitë