Türkiye është një nga pjesëmarrësit kryesorë dhe më aktivë të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (BSEC), tha sekretari i përgjithshëm i organizatës Lazar Comanescu.
“Türkiye ka qenë një nga pjesëmarrësit më aktivë në procesin e vendimmarrjes në këtë organizatë dhe një nga anëtarët më aktivë të BSEC-së për sa i përket prurjes, nisjes dhe promovimit të nismave”, tha Lazar Comanescu për Anadolu.
Türkiye do të mbajë presidencën e radhës të organizatës për gjashtë muajt e ardhshëm që nga 1 korriku, tha ai, duke shtuar se aktivitetet e shtyra dhe të anuluara për shkak të luftës ruse në Ukrainë kanë rifilluar.
Me rastin e 31-vjetorit të BSEC-së, Comanescu tha se organizata u krijua më 25 qershor 1992, nën udhëheqjen e Türkiyes, për të rritur stabilitetin, parashikueshmërinë dhe sigurinë në rajon duke nxitur dialogun ekonomik dhe bashkëpunimin midis vendeve anëtare.
Organizata prej 13 anëtarësh bashkon përfaqësuesit e shteteve anëtare me më shumë se 20 grupeve të punës për tregtinë dhe zhvillimin mjedisin, bujqësinë, energjinë, transportin dhe infrastrukturën, shtoi ai.
Lidhur me zbulimet e gazit natyror në Detin e Zi, ai tha se energjia është një nga fushat prioritare të veprimtarisë dhe bashkëpunimit të BSEC-së.
“Zbulimi i burimeve të gazit në rajonin e Detit të Zi dhe funksionimi i drejtpërdrejtë i tij do të jetë në dobi për gjithë rajonin”, tha ai, duke kujtuar zbulimet e rezervave të gazit në Rumani, Bullgari dhe Türkiye.
Comanescu vlerësoi gjithashtu përpjekjen e Türkiyes në Marrëveshjen e Korridorit të Drithit, e cila është jashtëzakonisht e rëndësishme për sigurinë ushqimore duke mundësuar furnizimin me drithë të prodhuar në Ukrainë ose Rusi.
“Falë përpjekjeve të aktorëve si Türkiye, mbajtja e dyerve të hapura ka mundësuar arritjen e kësaj marrëveshjeje”, shtoi ai.
Me seli në Istanbul, BSEC-ja u krijua në vitin 1992 për të vepruar në frymën e miqësisë dhe fqinjësisë së mirë dhe për të rritur respektin dhe besimin reciprok, dialogun dhe bashkëpunimin midis shteteve anëtare.
Grupi ka 13 anëtarë: Türkiye, Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani, Bullgaria, Gjeorgjia, Greqia, Moldavia, Maqedonia e Veriut, Rumania, Rusia, Serbia dhe Ukraina.