Lufta ruso-ukrainase, e cila tashmë ka hyrë në muajin e njëmbëdhjetë, është prej ngjarjeve më të rënda që e ka shënuar vitin të cilin po e lëmë pas.
Pasojat e kësaj ishin dhe janë të mëdha në mbarë globin, me theks të posaçëm kriza ushqimore. Bllokimi i porteve detare të Ukrainës nga forcat ruse ndikoi që eksporti i drithërave përmes Detit të Zi të ndalohet për një periudhë të konsiderueshme.
Me qëllim zgjidhjen e këtij ngërçi, diplomacia e Türkiyes, në krye me presidentin Recep Tayyip Erdoğan, gjatë muajve të parë të luftës u përfshi pa hezitim në zhbllokimin e ndalesës për eksportin e drithërave përmes Detit të Zi.
Takimi i parë mes Rusisë dhe Ukrainës i ndërmjetësuar nga Türkiye u zhvillua më 10 mars, vetëm disa javë pasi filloi lufta. Kjo nismë e diplomacisë turke më pas do të kontribuojë në arritjen e disa marrëveshjeve mes palëve në luftë.
Marrëveshja e Istanbulit
Duke insistuar në arritjen e një marrëveshjeje paqësore mes Rusisë dhe Ukrainës, diplomacia turke nisur nga presidenti i saj e deri te ministri i mbrojtjes në muajtë e parë i shpeshtuan kontaktet me të dyja palët.
Intensifikimi i takimeve, mes të tjerash, u bë edhe pas vendosjes së bllokadës ruse ndaj porteve detare të Ukrainës, gjë që shkaktoi rritjen e çmimeve ushqimore. Ukraina dhe Rusia renditen në mesin e 10-të prodhuesve më të mëdhenj në botë që prodhojnë grurë.
Nisma e diplomacisë turke për tejkalimin e krizës globale të ushqimit e cila kryesisht ishtë në dobi të njerëzimit hasi në reagime pozitive te palët e përfshira në luftë.
Shenjat e para serioze se mund të arrihet një marrëveshje për zhbllokimi e eksportit përmes Detit të Zi u dhanë më 8 qershor nga Ankaraja, pas takimit mes kryediplomatëve turk dhe rus, Mevlüt Çavuşoğlu dhe Sergey Lavrov.
Për palën turke realizimi i një marrëveshje për drithërat ishte plan i realizueshëm.
"Bëhet fjalë për një mekanizëm që mund të krijohet mes OKB-së, Rusisë, Ukrainës dhe Türkiyes. Si Türkiye, ne e shohim si plan të zbatueshëm", deklaroi atë kohë Çavuşoğlu.
Kryediplomati rus, lidhur me korridorin që planifikohej të hapet në Detin e Zi theksoi se u kushtojnë shumë rëndësi përpjekjeve të miqve të tyre turq, duke i cilësuar si "shumë të rëndësishme".
"Jemi gati për të punuar gjithsesi për sigurinë e anijeve që dalin nga portet e Ukrainës. Jemi të gatshëm ta bëjmë këtë bashkë me homologët tanë turq", tha me 8 qershor ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov.
Përfundimisht pas shumë përpjekjeve dhe takimeve, më 22 korrik Türkiye, OKB-ja, Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje historike në Istanbul për të rifilluar eksportet e drithit nga tri porte ukrainase të Detit të Zi, të cilat ishin ndërprerë për shkak të luftës. Ditë përpara skadimit të saj të planifikuar, marrëveshja historike e drithit u zgjat edhe për 120 ditë të tjera, duke filluar nga 19 nëntori.
Shumë vende uruan dhe vlerësuan Türkiyen dhe OKB-në për iniciativën. Më shumë se 14 milionë tonë drithë janë transportuar nga 556 anije përmes korridorit të drithit të Detit të Zi.
Për më tepër, Türkiye ndërmjetësoi një shkëmbim të rëndësishëm të të burgosurve midis Ukrainës dhe Rusisë. Me iniciativën e presidentit turk, në shtator u krye shkëmbim i të burgosurve të luftës midis Rusisë dhe Ukrainës.