Shefi i Kryesisë së Komunikimeve Fahrettin Altun.     /Foto: AA

Kreu i Drejtorisë së Komunikimeve të Türkiyes, Fahrettin Altun, ka dënuar agjencinë e lajmeve “Reuters” për raportimin e akuzave të pabaza për djalin e presidentit Recep Tayyip Erdoğan, duke kritikuar agjencinë e lajmeve se përhap dezinformata.

Altun i quajti të pabaza akuzat kundër Bilal Erdoğanit, duke theksuar se “Reuters” nuk ishte në gjendje as të konfirmonte në mënyrë të pavarur nëse presidenti Erdoğan dhe djali i tij ishin në dijeni ose ishin të përfshirë në skemën e supozuar të ryshfetit të një firme suedeze.

“Ky produkt dezinformues, i cili vetë në mënyrë të hapur kundërshton fjalitë vijuese dhe praktikisht rrëfen mungesën e lidhjes me të vërtetën qoftë edhe në nivelin minimal të respektimit të kritereve bazë gazetareske, është i atij llojit që do të mësohet në mësimet e gazetarisë”, tha Altun.

Altun citoi fjalitë vijuese nga artikulli për të vërtetuar mendimin e tij: “Përfundimisht, sipas ankesës së dorëzuar autoriteteve nga një individ dhe i shqyrtuar nga ‘Reuters’, nuk u pagua asnjë ryshfet. Në fakt, ‘Dignita Systems AB’, kompania suedeze, në fund të vitit të kaluar e braksiti papritmas projektin, sipas dy personave të njohur me çështjen dhe komunikimet e kompanisë, të parë nga ‘Reuters’ “.

“Reuters nuk ishte në gjendje të konfirmonte në mënyrë të pavarur nëse presidenti Erdoğan dhe djali i tij, Bilal, ishin në dijeni ose ishin të përfshirë në skemën e supozuar të ryshfetit të ‘Dignita’-s”, citoi Altun komentin nga agjencia ‘Reuters’, duke shtuar se artikulli ishte një “skenar imagjinar”.

Altun po ashtu theksoi se artikulli ngriti pikëpyetje teksa u publikua në prag të samitit të liderëve të NATO-s në Lituani.

“Dëshirojmë të theksojmë shumë qartë se ky lajm tendencioz, i drejtuar nga lobet dhe autoritetet publike kundër Türkiyes për të ushtruar presion mbi Türkiyen, nuk do të dëmtojë kurrë qëndrimin parimor të Türkiyes”, tha ai.

“Ne dënojmë ‘Reuters’-in për dhënien e këtij lajmi të rremë, që dëshmon edhe një herë se sa e rëndësishme është lufta jonë kundër dezinformimit, në mbarë botën”, theksoi Altun.

Drejtoria e Komunikimeve, e udhëhequr nga Altun, ka bërë përpjekje të lartë kundër dezinformatave, duke përfshirë një njësi të dedikuar të drejtorisë dhe një “buletin të rregullt të dezinformimit”.


TRT Balkan / agjencitë