15:52 Erdoğan: Fillojmë ndërtimin e njësive të banimit për 270 mijë familje
Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, tha se shteti do të fillojë ndërtimin e banesave dhe shtëpive të fshatit për 270.000 familje në 11 provincat e prekura nga tërmeti.
Gjatë vizitës së tij në Gaziantep, ai tha se ky qytet do të rindërtohet sërish, por duke e ruajtur identitetin dhe trashëgiminë.
"Do ta ngremë Gaziantepin në këmbë përsëri dhe më të fortë duke ruajtur identitetin e tij historik dhe strukturën demografike”, tha presidenti turk.
15:23 Rritet numri i viktimave nga tërmetet në Türkiye Numri i viktimave si pasojë e dy tërmeteve shkatërruese që goditën Türkiyen jugore më 6 shkurt është rritur në 42.310 persona, njoftoi Agjencia turke e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe të Emergjencave. Mbi 100.000 të tjerë kanë marrë lëndime nga këto tërmete.
12:15 Mbi 20 mijë sirianë rrikthehen në vendin e tyre pas tërmetit
Mbi 20,000 sirianë janë kthyer në vendin e tyre përtej kufirit pas tërmeteve të fundit në rajonin jugor të Türkiyes, tha të martën ministri turk i mbrojtjes kombëtare.
Duke folur me gazetarët në provincën jugore të Hatay, Hulusi Akar hodhi poshtë pretendimet se ka pasur një fluks refugjatësh sirianë në Türkiye përmes kufirit të saj jugor, duke i quajtur ato "absolutisht të pavërteta".
09:51 OKB e gatshme të ndihmojë pas tërmeteve të reja në Hatay Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha të hënën se organizata që ai drejton është e gatshme të ofrojë "mbështetje shtesë" pas dy tërmeteve të tjera që goditën provincën jugore turke Hatay.
"Mendimet e mia vazhdojnë të jenë me njerëzit e Türkiyes dhe Sirisë, ndërsa ata përballen me ndikimin e tërmeteve të reja që goditën rajonin këtë mbrëmje", shkroi Guterres në Twitter.
08:55 AFAD: Në provincën Hatay regjistrohen 90 pasgoditje
Agjencia e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe të Emergjencave (AFAD) njoftoi se pas tërmetit me magnitudë 6,4 që ndodhi dje (20 shkurt) në provincën jugore turke Hatay, ndodhën edhe 90 pasgoditje, më e madhja prej të cilave ishte 5,8 ballë.
“Dje në orën 20:04 ka ndodhur një tërmet me magnitudë 6,4 ballë në rrethin Defne, Hatay. Më pas kanë ndodhur 90 pasgoditje, më e madhja prej të cilave ishte 5,8 ballë. Sipas informacioneve të marra nga SAKOM-i (Qendra e koordinimit të emergjencave), 294 shtetas të lënduar, 18 prej të cilëve rëndë, janë dërguar në spitale të ndryshme. Fatkeqësisht, humbën jetën gjashtë qytetarë tanë", thuhet në deklaratë.
Gjashtë persona kanë humbur jetën në tërmetin e fundit që goditi mbrëmjen e 20 shkurtit provincën jugore të Türkiyes, Hatay.
Gjatë natës, ekipet e kërkim-shpëtimit shpëtuan një dhe gjetën trupat e tre personave të tjerë nën rrënojat e një ndërtese në Antakya.
Siç raportoi gazetari i Anadolus, ekipet e shpëtimit po punonin për të nxjerrë katër persona nga rrënojat e një ndërtese në Antakya, dhe ata ishin punëtorë të një kompanie lëvizëse, të cilët po përpiqeshin të nxirrnin gjërat nga ndërtesa e dëmtuar.
Selman Hallak, një nga punëtorët e kompanisë, tha se viktimat ndodheshin në objekt për shkak të transportit të gjërave dhe se ai ka nisur ta drejtojë veturën pikërisht në momentin e tërmetit.
“Katër persona ishin brenda dhe një mbijetoi”, tha Hallak për Anadolun.
Ministri i Brendshëm turk, Süleyman Soylu, pas tërmeteve të fundit me 6,4 dhe 5,8 ballë, tha se janë lënduar mbi 290 persona. Ministri i Shëndetësisë i Türkiyes theksoi se 18 prej tyre janë me lëndime të rënda.
Epiqendra e tërmeteve të 20 shkurtit ka qenë në rajonin Defne të provincës Hatay.
Ai u pasua nga një pasgoditje me magnitudë 5,8, tre minuta më vonë, me epiqendër në rrethin Samandag të Hatay.
Lëkundjet e reja goditën juglindjen e Türkiyes, dy javë pas tërmeteve të dyfishta me magnitudë 7,7 dhe 7,6 që lanë të paktën 41.156 njerëz të vdekur në të njëjtin rajon.
Numri në Siri ka arritur në 5.814, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve në të dyja vendet afër 47.000.