Dy muaj pas tërmeteve vdekjeprurëse të 6 shkurtit Türkiye tashmë ka treguar vendosmërinë për rindërtimin e rajoneve të prekura nga tërmetet.
Shërbimet publike dhe agjencitë e ndryshme shtetërore vazhdimisht janë në terren për t’iu ofruar ndihmë qytetarëve të mbijetuar.
Rinisja e procesit edukativo-arsimor gjatë muajit të fundit pothuajse është aktivizuar në të gjitha rajonet e prekura nga tërmetet.
Lidershipi turk i ballafaquar me “katastrofën e shekullit” është zotuar se brenda një viti do të bëhet ndërtimi i mijëra shtëpive dhe rezidencave.
Në vazhdim TRT Balkan jju sjell disa fakte të cilat e kanë karakterizuar muajin e dytë pas tërmeteve të rënda të 6 shkurtit që goditën Türkiyen.
Hedhja e gurthemeleve
Themelet e para të rindërtimit të shtëpive të shembura nga tërmetet e fuqishme u hodhën në Kahramanmaraş. Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, në ceremoninë e hapjes së parë të themeleve të shtëpive, tha se do të ndërtohen 17.902 shtëpi.
“Nuk ka asnjë vend tjetër në botë, përveç Türkiyes, që mund të vijë në fazën e rindërtimit në një kohë kaq të shkurtër përballë një katastrofe që ka shkaktuar një shkatërrim kaq të rëndë në një zonë kaq të madhe”, tha Erdoğan.
Tutje, presidenti Erdoğan iniciativën e rindërtimit të rajoneve e vazhdoi në Hatay, Adiyaman dhe rajonet tjera.
Vetëm në vitin e pare ai paralajmëroi ndërtimin e 319 mijë banesave.
Fushata “Solidariteti i Shekullit”
Departamenti i Komunikimit i Presidencës së Türkiyes nisi fushatën "Solidariteti i Shekullit" për të tërhequr vëmendjen ndaj solidaritetit të treguar nga kombi turk pas tërmeteve shkatërruese të muajit të kaluar.
“Për të pakësuar vuajtjet e papërshkrueshme të vëllezërve dhe motrave tona në rajonin e tërmetit, për të shëruar plagët dhe për të luftuar me guxim dhe vendosmëri pasojat shkatërruese të fatkeqësisë, shteti dhe kombi ynë kanë treguar solidaritetin e shekullit, i cili është një shembull për gjithë botën”, tha kreu i Departamentit të Komunikimit në Presidencën turke, Fahrettin Altun.
Më shumë se 13,5 milionë njerëz në Türkiye janë prekur nga tërmetet shkatërruese, ndërsa mbi 50 mijë të tjerë kanë humbur jetën.
Konservimi i aseteve kulturore
Në përpjekjet për të shpëtuar asetet kulturore në rajonet e prekura nga tërmetet e 6 shkurtit në Türkiyen jugore, përfshirë Xhaminë Habibi Neccar, Xhaminë Ulu, Xhaminë İhsaniye, Kishën Ortodokse Greke të Antakyas dhe ndërtesën e Parlamentit të Hatayit, të cilat u shkatërruan nga tërmetet, janë bashkëngjitur dhe një grup studentësh vullnetarë.
Konservimin e aseteve kulturore e filloi Drejtoria e Gërmimeve të Zonës së Fatkeqësive e krijuar në varësi të Ministrisë së Kulturës dhe të Turizmit të Türkiyes.
Përllogaritja e dëmeve
Përballja me këtë tragjedi ka edhe koston e saj financiare. Një raport fillestar i Vlerësimit të Rimëkëmbjes dhe Rindërtimit nga Tërmetet në Türkiye ka përllogaritur një kosto prej 103,6 miliardë dollarëve, një shifër që përbën mbi 11% të Bruto Prodhimit Vendor të Türkiyes.
“Asnjë shtet nuk mund të përballet i vetëm me këtë lloj tragjedie”, tha presidenti Erdoğan.
Sipas rezultateve të studimit, 518.009 shtëpi u përcaktuan se janë rrënuar, kërkonin prishje urgjente ose ishin të dëmtuara rëndë. Nga ana tjetër, vlerësohet se rreth 131.507 shtëpi kanë dëmtime mesatare.
Pjesa më e madhe e shtëpive të rrënuara ose të papërdorshme është regjistruar në provincën Hatay, gjithsej 215.255.
Kostoja financiare vetëm e rrënimit të ndërtesave arrin rreth 54,7 miliardë dollarë. Bashkë me shkatërrimet e bizneseve, fermave, mobiljeve brenda shtëpive, heqjen e rrënojave dhe kostos së akomodimit të përkohshëm dhe ushqimit, kjo shifër shkon në 66,2 miliardë dollarë gjithsej.
Tërmeti ngarkoi me kosto mbi 37 miliardë dollarë sektorët e tjerë. Mijëra shkolla, salla sportive, qendra kulturore dhe të ngjashme janë rrënuar ose dëmtuar nga tërmeti. Dëmi në këtë sektor llogaritet 6,7 miliardë dollarë.
Shtohen zonat e prekura nga tërmetet
Türkiye përveç 11 rajoneve fillestare të prekura nga tërmetet e 6 shkurtit së fundmi ka shtuar edhe gjashtë rajone të tjera të dëmtuara nga tërmetet.
Nëpërmjet një komunikate nga AFAD-i tha se vendbanimet ku u gjetën ndërtesa të dëmtuara në rajonet e Bingol, Kayseri, Mardin, Tunceli, Nigde dhe Batman iu shtuan gjithashtu zonës, gjë që i kualifikon ata për të marrë disa lloje të ndihmë shtetërore.
"Vlerësimi i dëmeve në këto rajone tregoi se ka ndërtesa që janë dëmtuar lehtë, mesatarisht ose rëndë”, njofton AFAD-i.