Ekipe të BE-së për kërkim-shpëtim aktive në Türkiye.     /Foto: AA

Ekipet e shpëtimit nga një numër vendesh evropiane janë përfshirë në mënyrë aktive në përpjekjet e ndihmës në Türkiyen jugore, pasi rajoni u godit nga tërmetet e forta të hënën.

Njësia e emergjencës ushtarake e Spanjës (UME) tha në Twitter se ekipet e saj vazhduan të kërkojnë të mbijetuar të mundshëm mes rrënojave në rrethin Islahiye të provincës Gaziantep. Spanja njoftoi dje se do të dërgojë punonjës shëndetësorë dhe një spital fushor në zonën e tërmetit.

Ministria e mbrojtjes e Spanjës tha gjithashtu se dy anije të marinës të ngarkuara me furnizime ndihmash ishin gjithashtu në rrugë për në Türkiye.

EMAK, ekipi special i zjarrfikësve grekë për fatkeqësitë, deri më tani ka shpëtuar katër persona, tre prej tyre fëmijë, nga rrënojat e ndërtesave në provincën Hatay. Shërbimi i transmetimit publik ERT njoftoi se gjithsej 18 personel nga EMAK-u dhe shërbimet e urgjencës të vendit EKAV do të dërgohen në Türkiye.

Nga Polonia, gjithsej 15 shpëtimtarë në katër ekipe të Shërbimit Shtetëror të Zjarrfikësve (PSP) ndodhen në rrethin Besni të provincës Adiyaman. Komandanti i PSP-së Andrew Bartkowiak njoftoi në Twitter se ekipet kanë shpëtuar tetë persona deri më tani.

Prej tre ditësh në Hataj ndodhet edhe një kontingjent italian prej 50 shpëtimtarësh të zjarrfikësve të vendit dhe Ministrisë së Mbrojtjes Civile.

Anija e marinës italiane San Marco gjithashtu do të niset së shpejti për në Türkiye me një spital fushor, njoftoi ministri i Mbrojtjes Civile Nello Musumeci.

Ekipet e Agjencisë Ndërkombëtare Gjermane të Kërkimit dhe Shpëtimit (ISAR), e përbërë nga 50 shpëtimtarë, ndodhen gjithashtu në Hataj. ISAR njoftoi në Twitter se personeli i saj në rrethin Kirihan shpëtoi një djalë 16-vjeçar dhe një grua.

Drejtori i përgjithshëm i Mbrojtjes Civile dhe i Menaxhimit të Krizave i Francës njoftoi në Twitter se një ekip prej 73 personash po punon së bashku me shpëtimtarët vendas turq dhe po bëjnë gjithçka që është e mundur për të shpëtuar viktimat e bllokuara nën rrënoja në provincën Osmaniye.

Gjithashtu, Ministria e Jashtme belge njoftoi të mërkurën se vendi po përgatitej të dërgonte një ekip mjekësor urgjent për të ngritur një spital fushor dhe për të ofruar ndihmë mjekësore për ata që kanë nevojë.

Të paktën 8.574 njerëz humbën jetën dhe 49.133 të tjerë u lënduan pas dy tërmeteve të forta që goditën Türkiyen jugore të hënën, tha të mërkurën presidenti i vendit Recep Tayyip Erdoğan.

Tërmetet me magnitudë 7.7 dhe 7.6, me qendër në provincën Kahramanmaras, goditën 10 provinca dhe prekën më shumë se 13 milionë njerëz.

Disa vende të rajonit, përfshirë Sirinë dhe Libanin, ndjenë lëkundjet e forta që goditën Türkiyen në më pak se 10 orë.

Më shumë se 96.670 njerëz në ekipe të shumta kërkimi dhe shpëtimi po punojnë aktualisht në terren.

AA