Një pjesë e asaj që është e jashtëzakonshme për tërmetin e së hënës me magnitudë 7,7 është se ai shkaktoi tërmetin e dytë me magnitudë 7,6, i cili nuk është një dukuri e zakonshme, ka thënë Saskia Goes, profesoreshë e gjeofizikës në Kolegjin Imperial në Londër.
Në një intervistë me TRT World, Goes shpjegoi se tërmetet normalisht shkaktojnë shumë pasgoditje me magnitudë më të vogël, megjithatë tërmeti i së hënës shkaktoi një tjetër me pothuajse të njëjtën madhësi.
Tërmetet e fuqishme që goditën Türkiyen juglindore këtë javë ishin tri herë më të forta se tërmeti i Marmarasë i vitit 1999 në veriperëndim të vendit, tha të shtunën Presidenti Recep Tayyip Erdoğan gjatë vizitës së tij në provincën juglindore Dijarbakir.
Sipas Goes, niveli i lartë i shkatërrimit ndodhi për shkak se tërmeti ishte relativisht i cekët.
“Kjo është një veti e këtyre llojeve të defekteve – që tërmetet ndodhin mjaft të cekët dhe lëkundjet zhduken shpejt nga burimi. Pra, sa më afër burimit, aq më e fortë është lëkundja,” shpjegon ajo.
Tërmeti i parë me magnitudë 7,7 ballë ndodhi përgjatë thyerjes lindore të Anadollit – një zonë e njohur e thyerjeve në Türkiye lindore.
Zyrtari i Autoritetit të Menaxhimit të Fatkeqësive dhe të Emergjencave të vendit (AFAD) Orhan Tatar tha të shtunën se tërmeti me magnitudë 7,7 bëri një efekt dhe lëshoi energji aq të fuqishme sa 500 bomba atomike.
“I barabartë me 500 bomba atomike”
Goes thotë se tërmeti i vitit 1939 në Türkiye, i cili goditi provincën lindore të Erzincanit, i bëri tërmetet e ardhshme më të mundshme.
“Ai shkaktoi një sekuencë të tërë tërmetesh më të mëdha midis viteve 1939 dhe 1999, duke migruar drejt perëndimit përgjatë zonës së thyerjes,” thotë Goes për TRT World.
Megjithatë, ndryshimet në stresin e shkaktuar nga një tërmet janë relativisht të vogla në krahasim me stresin total të nevojshëm për të bërë një thyerje të çarjes, vazhdoi të shpjegonte Goes. Prandaj, është e vështirë për shkencëtarët të dinë nëse një tërmet i veçantë do të rrisë frekuencën e tërmeteve në një vend a rajon.
Edhe profesoresha e gjeologjisë në Western Washington University, Jackie Caplan-Auerbach, tha për Agjencinë Anadolu se dy tërmetet binjake në Türkiye janë të krahasueshme me testin më të madh bërthamor në botë.
“Ky është tërmet shumë i fuqishëm. Me siguri mund të krahasohet me testet më të mëdha bërthamore të bëra ndonjëherë - jo një bombë që ka goditur dikë, por bombat më të mëdha që janë testuar”, tha ajo.
Zyrtari i AFAD-it, Orhan Tatar, tha se tërmeti i parë me magnitudë 7,7 ballë ka qenë 65 sekonda, ndërsa tërmeti i dytë ka qenë 45 sekonda.
Me dy tërmete rajoni është tronditur rëndë për rreth 2 minuta.
Në lidhje me aktivitetin vullkanik në zonë, Tatari tha se “nuk ka rrjedhje lavash, hiri vullkanik, naftë ose gaz në rajon”.
“Sipas vëzhgimeve tona, ndodhia në Kahramanmaraş nuk është gjë tjetër veçse një lëvizje e thjeshtë masive që shkaktohet nga tërmeti dhe që e shohim shumë shpesh pas lëkundjeve.” shtoi ai.
Tërmetet me magnitudë 7,7 dhe 7,6 goditën më shumë se 13 milionë njerëz në 10 provincat: Hatay, Gaziantep, Adana, Adiyaman, Diyarbakir, Kilis, Malatya, Osmaniye dhe Sanliurfa.
Sipas OKB-së, më shumë se 5 milionë njerëz mund të mbeten tani të pastrehë në Sirinë veriore, e cila tashmë po vuan nga një luftë civile 12-vjeçare dhe një krizë refugjatësh.