Türkiye ka hyrë në marrëveshje të reja pas kontratës më të madhe të eksportit të mbrojtjes dhe hapësirës ajrore në historinë e vendit të nënshkruar nga prodhuesi turk i mjeteve ajrore pa pilot (UAV) Baykar me Arabinë Saudite.
Suksesi i eksportit i arritur nga dronët (UAV), autoktone të industrisë turke të mbrojtjes sjell mundësi të reja.
Baykar kohët e fundit nënshkroi një marrëveshje eksporti dhe bashkëpunimi me Ministrinë e Mbrojtjes të Arabisë Saudite për mjetin ajror luftarak pa pilot (UCAV) Bayraktar Akinci. Marrëveshja u regjistrua si kontrata më e madhe e eksportit të mbrojtjes dhe hapësirës ajrore në historinë e Republikës së Türkiyes.
Sipas informacioneve të marra nga Anadolu, pas kontratës, një ceremoni nënshkrimi për një Marrëveshje Indigjenizimi të Prodhimit të UAV-ve u mbajt në Riad dhe u organizua nga Ministria saudite e Mbrojtjes.
Gjatë ceremonisë, firmat turke të mbrojtjes Baykar, Aselsan dhe Roketsan nënshkruan marrëveshje të reja me kompanitë saudite.
Baykar nënshkroi memorandume mirëkuptimi (MoU) me Industritë ushtarake të Arabisë Saudite (SAMI) në pronësi shtetërore për prodhimin vendas dhe transferimin e teknologjisë, ndërsa Aselsan dhe Roketsan nënshkruan memorandume mirëkuptimi me Kompaninë Kombëtare Saudite për Sistemet Mekanike.
Marrëveshjet u nënshkruan nga shefi ekzekutiv i Baykar Haluk Bayraktar, shefi ekzekutiv i Aselsan Ahmet Akyol dhe Drejtori i Përgjithshëm i Roketsan Murat Ikinci në një ceremoni ku mori pjesë Haluk Gorgun, president i Agjencisë Turke të Industrisë së Mbrojtjes.
Në fjalën e tij në ceremoni, Bayraktar tha se ata ishin së bashku për të festuar një moment emocionues dhe për të dëshmuar një kapitull të ri që forcon bashkëpunimin midis dy vendeve.
Duke theksuar se vendet që zbatojnë teknologjitë e reja jo vetëm fitojnë avantazhe, por edhe ndërtojnë lidhje më të forta me aleatët e tyre, ai tha: "Ne kemi ndarë dhe do të vazhdojmë të ndajmë teknologji inovative, duke përfshirë Bayraktar Akinci."
"Zhvillimi i një platforme të teknologjisë së lartë si Bayraktar Akinci është pa dyshim i paçmuar."
Ai shtoi se Bayraktar Akinci nuk është një armë ose avion i zakonshëm, por një robot inteligjent fluturues i pajisur me dhjetëra kompjuterë, dhjetëra mijëra rreshta kodesh dhe inteligjencë artificiale.
Duke u angazhuar në emër të Baykar për të bashkëpunuar në mënyrën më efektive për zbatimin pa probleme të projektit dhe ofrimin e shërbimeve pas shitjes, Bayraktar tha se po bashkërendojnë gjithashtu hapat e nevojshëm me institucionet saudite, rregullatorët dhe industrinë vendase.
Duke vënë në dukje se ky projekt nuk është vetëm një mundësi biznesi për Baykarin, por edhe një shtyllë e mundësive premtuese në përputhje me interesat e vendit, Bayraktar tha se ata janë të gatshëm për vazhdimin e projektit.
"Baykar është i vetëdijshëm për madhësinë e projektit dhe po mobilizon të gjitha aftësitë e tij për të siguruar një histori suksesi që paralajmëron shumë vjet bashkëpunimi strategjik," tha ai, duke shtuar se ata synojnë të sigurojnë që përdoruesit e fundit sauditë të jenë të njohur me konceptin e Bayraktar Akinci dhe se e gjithë flota e Bayraktarit përdoret në mënyrë efektive, me më shumë aftësi për t'u transferuar.