Hapet ekspozita ‘Istanbul Photo Awards 2022’ në kryeqytetin Ankara.     Foto: AA

Ekspozita e dytë e ‘Istanbul Photo Awards 2022’ është hapur në kryeqytetin turk Ankara, duke shfaqur përzgjedhje fotografish të vlerësuara nga konkursi ndërkombëtar i fotografisë së lajmeve të Anadolu Agency (AA).

Në ekspozitën që do të zgjasë deri më 19 dhjetor, vizitorët do të shohin koston njerëzore të konfliktit në Afganistan, garat e ‘Formula 1’ të këtij viti, mitingjet në ShBA, ngordhjet e shpendëve në ligatinat iraniane, si dhe pamjet e jetesës së fëmijëve tajlandezë dhe nënave në Dagestan.

Zv.ministrja e Kulturës dhe Turizmit e Türkiyes, Özgül Özkan Yavuz, ambasadori i Paraguajt në Ankara, Ceferino Adrian Valdez Peralta, si dhe shumë emra të njohur nga bota e fotografisë morën pjesë në hapjen e ekspozitës në ‘CSO Ada Ankara’. Ata u pritën nga drejtori i përgjithshëm i AA-së, Serdar Karagöz.

Duke folur në ceremoninë e hapjes, zv.ministrja Yavuz tha se gjithmonë e përcakton AA-në si "arkiv dhe kujtesë" e Türkiyes.

"Ata bëjnë punë shumë të mira në të gjithë botën, pa kompromituar cilësinë", theksoi Yavuz.

Karagöz, nga ana e tij, tha se që nga themelimi i saj në vitin 1920, AA-ja gjithmonë i ka kushtuar rëndësi të madhe fuqisë së fotografisë.

"Aktualisht mbajmë rreth 11 milionë fotografi në platformën tonë ‘Anadolu Images’. Ne bashkëpunojmë me shumë agjenci të shpërndarjes së fotografive në mbarë botën, përfshirë ‘Getty Images’, ‘Reuters’ dhe ‘AFP Forum’. Ne prodhojmë mesatarisht 3.400 fotografi në ditë", tha Karagöz.

Ai gjithashtu theksoi se ‘Istanbul Photo Awards’, që organizon AA-ja që nga viti 2015, është kthyer në një nga organizatat më prestigjioze në botë, me pjesëmarrjen e fotografëve më të rëndësishëm ndërkombëtarë.

"Ne si AA e shohim fotografinë dhe historinë e saj si një element të domosdoshëm të lajmit. Ne duam të mbështesim fotoreporterët, të cilët kryejnë punën e tyre në të gjitha llojet e kushteve të vështira", tha Karagöz.

Fituesit

Fotografia e fotografit të kompanisë mediatike ‘Bloomberg’, Konstantinos Tsakalidis, e titulluar "Gruaja nga Evia" në edicionin e tetë vjetor ndërkombëtar të konkursit ‘Istanbul Photo Awards 2022’ fitoi çmimin "fotografia e vitit".

Fotografia e fotografit Tsakalidis u zgjodh nga më shumë se 16 mijë parashtrime nga pjesë të ndryshme të botës.

Ekspozita e parë e konkursit ‘Istanbul Photo Awards 2022’ u hap në muajin shtator në metropolin turk Istanbul, ndërsa më 8 dhjetor AA-ja do të hapë ekspozitën e tretë në selinë e Kombeve të Bashkuara (OKB) në New York.

Këtë vit, konkursi u organizua me mbështetjen e kompanisë fotografike ‘Canon’, kompania ajrore turke ‘Turkish Airlines’ dhe Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA). Ministria e Kulturës dhe Turizmit e Türkiyes dhe ‘CSO Ada Ankara’ ndihmuan në organizimin e ekspozitës në kryeqytet.

Fotografët mund të dërgojnë aplikimet e tyre për konkursin ‘Istanbul Photo Awards 2023’ deri më 15 janar. Parashtrimet u hapën në fillim të këtij muaji.

Detajet e kërkesave për aplikim dhe fotografitë fituese të viteve të kaluara mund të gjenden në ‘http://www.istanbulphotoawards.com’.

AA