Erdoğan: 144.000 njerëz në terren për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti / Foto: Screenshot - TRT World live

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, vizitoi sot rajonin e Adiyamanit, për të inspektuar dëmet e tërmeteve masive të 6 shkurtit. Nga kjo provincë e goditur nga tërmeti, presidenti turk njoftoi se numri i viktimave ka arritur në 18.991 deri tani. Mbi 75 mijë janë lënduar, ndërsa 6.444 ndërtesa janë shembur.

“Po ballafaqohemi me një nga katastrofat më të mëdha në historinë tonë”, tha presidenti turk Erdoğan gjatë vizitës në Adiyaman. Ai tha se shteti u ka dalë në ndihmë njerëzve duke me ekipin më të madh ndonjëherë të kërkim-shpëtimit, por rrethanat nuk kanë qenë më të favorshmet.

“Po punojmë me një ekip të madh prej 141 mijë njerëzve. Kemi krijuar ekipin më të madh që është parë ndonjëherë. Do të vazhdojmë me punë derisa asnjë person të mos mbetet nën rrënoja”, deklaroi presidenti Erdoğan.

Erdoğan tha se prioriteti i qeverisë ka qenë gjithmonë njerëzit dhe shpirtrat. “Nuk do të lejojmë abuzime, sinqeriteti ynë në këtë çështje nuk mund të vihet në dyshim nga askush”, tha ai.

Presidenti turk theksoi se populli i tij ka kaluar shumë fatkeqësi, por asnjëherë nuk është thyer.

“Kombi ynë është popull i vendosur. Kemi parë shumë fatkeqësi si komb, por në secilën prej tyre kemi treguar se sa popull i qëndrueshëm jemi”, tha presidenti Erdoğan.

Erdoğan përsëriti zotimin se Adiyaman dhe të gjitha 10 provincat e prekura nga tërmeti, do të rindërtohen dhe rimëkëmben brenda 1 viti.

TRT Balkan / agjencitë