Presidenti Recep Tayyip Erdoğan në fjalimin e tij gjatë konferencës për media të zhvilluar pas përfundimit të Samitit të 18-të të Liderëve të G20-shit në kryeqytetin e Indisë, New Delhi, deklaroi se "Si Türkiye ne besojmë se është e mundur një botë më e drejtë.
Në raport me të ardhurat kombëtare sipas tij, Türkiye është vendi që jep ndihma më shumë në botë.
Në fjalën e tij, Erdoğan vuri në dukje se së shpejti do të mbledhin Grupin e Punës për Sigurinë Ushqimore për të kontribuar në sigurinë globale të ushqimit.
"Ne do të vazhdojmë të jemi në kontakt të ngushtë me Rusinë, Ukrainën, Kombet e Bashkuara dhe komunitetin ndërkombëtar", tha ai.
Pavarësisht besimit, kulturës dhe rrënjëve që kemi, sipas presidentit turk çdonjëri prej nesh është anëtar i familjes së madhe njerëzore prej 8 miliardësh.
“Askush nga ne nuk mund të ndihet i sigurt, në një botë ku fëmijët vdesin se pse nuk mund të gjejnë një copë bukë dhe ujë, ku dhjetëra mijëra njerëz humbin jetën nëpër shkretëtirën e udhëtimit të shpresës, ku detërat tanë janë shndërruar me shpejtësi në një varrezë gjigante refugjatësh, ku miliona të tjerë kanë braktisur shtëpitë e tyre për shkak të luftërave dhe konflikteve, ku jeta e njeriut është gjithnjë në zhvlerësim pavarësisht shumë retorikave, ku menjëherë pranë nesh ndodhin tragjedi shkatërruese", tha Erdoğan.
"Ne si Türkiye kundërshtojmë këto padrejtësi"
Presidenti turk bëri të ditur se në këtë pikë, miliarda njerëz nga Afrika e deri në Azi po punojmë dhe djersiten në kushte shumë të këqija për kënaqësinë dhe mirëqenien e një grushti (grupi) elite.
"Kjo nuk është as e drejtë, as humanitare dhe as morale. Arsyeja e problemeve tona nuk është mungesa e burimeve, por mungesa e mëshirës", tha Erdoğan.
Erdoğan tha se si Türkiye kundërshtojmë këto padrejtësi.
"Si Türkiye ne besojmë se është e mundur një botë më e drejtë. Në raport me të ardhurat kombëtare jemi vendi që jep ndihma më shumë në botë. Ne strehojmë mbi 4 milionë të shtypur dhe viktima. Duke pastruar veriun e Sirisë nga organizatat terroriste, duke ndërtuar banesa të përhershme në këtë rajon me mbështetjen e vendeve vëllazërore, duke plotësuar nevojat në çdo fushë nga arsimi deri te siguria, ne eliminojmë në burim arsyet kryesore që i detyrojnë njerëzit të migrojnë", shtoi ai.
"Jemi të mendimit se duhet të shmanget çdo hap që do të prishë qetësinë në Detin e Zi"
Duke vënë theksin se si Rusia-Katari dhe Türkiye i kushtojnë vëmendje përpunimit dhe dërgimit të 1 milion tonëve drithë për vendet e Afrikës që kanë problem ushqimore, Erdoğan tha:
"Do ta realizojmë këtë dorë për dore. Një proces që përjashton Rusinë në çështjen e drithit ka mundësi shumë të ulët që të jetë i qëndrueshëm. Jemi të mendimit se duhet të shmanget çdo hap që do të prishë qetësinë dhe do të përshkallëzojë tensionet në Detin e Zi. Së shpejti do të mbledhim Grupin e Punës për Sigurinë Ushqimore për të kontribuar në sigurinë globale të ushqimit. Do të vazhdojmë të jemi në kontakt të ngushtë me Rusinë, Ukrainën, OKB-në dhe komunitetin ndërkombëtar. Të gjitha këto përpjekje të vendit tonë u përmendën me të drejtë në deklaratën e samitit".
"Sulmet që kanë objektiv myslimanët dhe refugjatët kanë tejkaluar kufijtë e tolerancës"
Presidenti Erdoğan nënvizoi se armiqësia ndaj Islamit dhe ksenofobia që përhapen si murtaja shkaktojnë dëmin më të madh ndaj idealit "Një Tokë, Një Familje, Një e Ardhme". Ai potencoi se sulmet që kanë objektiv myslimanët dhe refugjatët tashmë kanë tejkaluar kufijtë e tolerancës në disa vende perëndimore dhe janë kthyer në një furi urrejtjeje në disa vende.
"Fatkeqësisht shumica e vendeve që mbrojnë demokracinë dhe drejtat e njeriut po luajnë tre majmunët përballë kësaj barbarie. Djegia e Kuranit nën mbrojtjen e policisë nuk është liri e shprehjes, është provokim shumë i hapur, është krim urrejtjeje. Askush nuk mund të presë që ne të qëndrojmë të heshtur ndaj kësaj. Në emër të së ardhmes së përbashkët të njerëzisë, besoj se të gjitha vendet ku është rritur armiqësia ndaj Islamit duhet të ndjekin tashmë politika më të vendosura për këtë çështje", tha Erdoğan duke shtuar:
"Nëse ka ndonjë mangësi me legjislacionin, ajo duhet të rregullohet. Nëse është e nevojshme duhet të bëhet me shpejtësi ligji. Si një anëtare përgjegjëse e komunitetit ndërkombëtar, duke u nisur nga shprehja ‘miku thotë fjalë të hidhur (të vërtetën)‘ ne e kemi për detyrë që të shprehim me gjithë qartësinë të vërtetën. Bashkë me këtë ne e sjellim në rend dite këtë çështje në platformat në të cilët jemi anëtarë, kryesisht në OKB".
Erdoğan rikujtoi se 15 marsi është shpallur si "Dita Ndërkombëtare e luftës kundër Islamofobisë" nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së.
"Si vendimet e Këshillit të të Drejtave të Njeriut ashtu dhe të Asamblesë së Përgjithshme për sulmet kundër Kuranit janë të rëndësishme në këtë drejtim. Shohim se disa vende marrin masa të ndryshme ligjore dhe administrative përballë këtyre akteve dhe ne jemi të kënaqur nga kjo. Me propozimin dhe përpjekjet e vendit tonë, sulmi ndaj librave të shenjtë u dënua edhe në deklaratën e G20-shit", shtoi Erdoğan.
Po ashtu në fjalën e tij, Erdoğan potencoi: "Ne po hedhim hapa të rëndësishëm edhe në investimet për energjinë e rinovueshme dhe në ato bërthamore dhe të hidrogjenit. Ne jemi të 5-ët në Evropë dhe të 12-ët në botë për sa i përket fuqisë së instaluar nga burimet e rinovueshme. Hapat që kemi ndërmarrë në fushën e prodhimit së energjisë dhe energjisë së rinovueshme kanë penguar emetimin e gazeve serrë ekuivalent me 90 milionë tonë karbon në vit".
Në pyetjen për një vlerësim lidhur me situatën në kufirin Armeni-Azerbajxhan, Erdoğan tha: "Lidhur me këtë sot kam zhvilluar bisedë me të nderuarin Ilham Aliyev. Pas kësaj bisede, me shumë mundësi nesër do të kem një bisedë edhe me të nderuarin Pashinyan. Nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të ftojmë rajonin (Karabakun) në qetësi. Por, këto hapa të ndërmarrë aktualisht në Khankendi, në Karabak, nuk janë hapat e duhur. Kjo është e pamundur të pranohet. Në fakt, këtë nuk e pranojnë as vendet anëtare të BE-së. Edhe në bisedën që zhvillova me Charles Michel (presidentin e Këshillit Evropian), as ata nuk kanë qasje pozitive ndaj këtyre zhvillimeve. Sigurisht që edhe ne nuk e shohim pozitivisht këtë".
Duke informuar se ndonëse në këmbë, ka pasur një takim me presidentin e ShBA-së Joe Biden në Samitin e Liderëve të G20-shit dhe se aty diskutuan për çështjen e F-16, presidenti Erdoğan theksoi: "Fatkeqësisht miqtë e marrin çështjen e F-16 dhe e dërgojnë në 'Suedia dhe vetëm Suedia'. Tani kjo qasje na mërzit. Sepse kur thuhet kështu as unë nuk ka ndonjë përgjigje për të dhënë. Ju për çdo gjë thoni Kongresi, por edhe unë kam një Kongres. Cili është Kongresi im? Kuvendi i Madh Popullor i Türkiyes. Për sa kohë që një vendim i tillë nuk miratohet në Parlamentin e Türkiyes, është e pamundur që unë t'i them 'po'".