Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, zhvilloi bisedë telefonike me kryeministrin e Japonisë, Kishida Fumio.
Sipas një deklarate nga Kryesia e Komunikimeve të Presidencës së Türkiyes, thuhet se gjatë bisedës Erdoğan falënderoi kryeministrin Kishida i cili i përcolli urimet për rizgjedhjen si president.
Këtë vit do të festohet 10-vjetori i partneritetit strategjik mes Türkiyes dhe Japonisë, ndërsa vitin e ardhshëm do të festohet 100-vjetori i ndërtimit të marrëdhënieve diplomatike, rikujtoi Erdoğan, duke theksuar se dëshiron të avancojë bashkëpunimin dypalësh në një gamë të gjerë fushash si ekonomia, energjia, bujqësia, arsimi, mbrojtja, menaxhimi i fatkeqësive, shkenca dhe teknologjia.
Duke uruar vazhdimin e mbështetjes dhe solidaritetit të treguar nga Japonia përballë tërmeteve në Kahramanmaraş, Erdoğan ka shprehur se beson që Japonia do të japë kontribute më konkrete ndaj luftës së Türkiyes kundër terrorizmit.
Telefonatë me Aleksandar Vuçiqin
Presidenti turk ka biseduar në telefon edhe me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.
Sipas njoftimit për shtyp të Zyrës së Komunikimit të Türkiyes, Erdoğan i ka shprehur mirënjohjen Vuçiqit për urimet e tij për rizgjedhjen si president.
Erdoğan tha gjithashtu se marrëdhëniet mes Türkiyes dhe Serbisë arritën në nivelin më të lartë në histori falë përpjekjeve të dy liderëve.