Erdoğan: Bota turke ndër të parat dha ndihma pas tërmeteve të 6 shkurtit.     /Foto: AA

Bota turke ishte ndër të parat që dha ndihma pas tërmeteve shkatërruese që goditën Türkiyen jugore më 6 shkurt, tha të enjten (16 mars) presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan.

“Kemi kërkuar ndihmë ndërkombëtare. Bota turke ishte ndër të parat që ndihmoi. Nuk na latë vetëm në momentet tona më të vështira”, tha Erdoğan në hapjen ceremoniale të samitit të jashtëzakonshëm të liderëve të Organizatës së Shteteve Turke në kompleksin presidencial në Ankara.

“Vendi ynë nuk do ta harrojë kurrë mbështetjen tuaj”, shtoi Erdoğan.

Tërmetet me magnitudë 7,7 dhe 7,6 goditën 11 provinca më 6 shkurt - Adana, Adiyaman, Diyarbakir, Elazig, Hatay, Gaziantep, Kahramanmaras, Kilis, Malatya, Osmaniye dhe Sanliurfa, duke marrë jetën e afro 50.000 njerëzve.

Më shumë se 13,5 milionë njerëz në Türkiye u prekën nga tërmetet shkatërruese, si dhe shumë të tjerë në Sirinë veriore.

“Edhe një herë do të tregojmë në nivelin më të lartë se bota turke rreh me një zemër dhe është unike”, tha Erdoğan.

Erdoğan foli edhe për ngjarjet në kuadër të luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.

“Türkiye do të vazhdojë përpjekjet e saj për të rikthyer Rusinë dhe Ukrainën në tryezën e bisedimeve”, tha lideri turk.

Në samit marrin pjesë presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev, ai i Kazakistanit Kassym-Jomart Tokayev, presidenti i Kirgistanit Sadyr Japarov, udhëheqësi i Uzbekistanit Shavkat Mirziyoyev, presidenti i Republikës Turke të Qipros Veriore (RTQV) Ersin Tatar, kryeministri hungarez Viktor Orban dhe kryetari i Këshillit Popullor i Turkmenistanit Gurbanguly Berdimuhamedov.

RTQV-ja, e cila mori statusin e vëzhguesit gjatë samitit të vitit të kaluar në Uzbekistan, po merr pjesë për herë të parë në një samit të OShT-së.

Gjatë takimit, tema e të cilit është Menaxhimi i Fatkeqësive-Emergjencave dhe Ndihmave Humanitare, liderët do të shtjellojnë bashkëpunimin shumëpalësh dhe mekanizmat koordinues në luftën kundër fatkeqësive, si dhe do të zhvillojnë konsultime për sfidat aktuale në rajon.

OShT-ja, e quajtur më parë Këshilli Turk, është një organizatë ndërkombëtare që përfshin vende të shquara të pavarura turke që punojnë së bashku për të ngritur marrëdhëniet dhe bashkimin mes tyre.

Anëtarët e saj janë Türkiye, Azerbajxhani, Kazakistani, Kirgistani dhe Uzbekistani, ndërsa shteti i BE-së Hungaria, Turkmenistani dhe RTQV-ja kanë statusin e vëzhguesit.

TRT Balkan / agjencitë