Erdoğan dhe Aliyev flasin për luftën Izrael-Palestinë / Foto: AA

Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan u takua me homologun e tij azerbajxhanas Ilham Aliyev në kryeqytetin e Kazakistanit Astana të premten, me të cilin diskutoi marrëdhëniet dypalëshe, çështjet rajonale dhe globale, si dhe konfliktin e vazhdueshëm midis Izraelit dhe Palestinës, tha Drejtoria Turke e Komunikimeve.

Erdoğan tha se Türkiye do të vazhdojë të rrisë përpjekjet e saj për ndihmën humanitare dhe theksoi nevojën që komuniteti ndërkombëtar të dërgojë mesazhe të forta për të siguruar që Izraeli të respektojë ligjin ndërkombëtar.

“Paqja e qëndrueshme në rajon mund të arrihet vetëm pas krijimit të një shteti të integruar gjeografikisht dhe të pavarur të Palestinës brenda kufijve të vitit 1967, me kryeqytet Kudsin Lindor (Jerusalemin),” shtoi lideri turk.

Në takim u diskutua edhe për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Türkiyes dhe Armenisë, si dhe situatën aktuale në lidhje me procesin e pasluftës ndërmjet Azerbajxhanit dhe Armenisë.

Presidenti turk ndodhet në Astana, ku po merr pjesë në samitin e Organizatës së Shteteve Turke.

Organizata e Shteteve Turke, e njohur më parë si Këshilli Turk, është një organizatë ndërkombëtare e përbërë nga vende të pavarura turke që punojnë së bashku për të forcuar marrëdhëniet e ndërsjella.

Anëtarët e saj janë Türkiye, Azerbajxhani, Kazakistani, Kirgistani dhe Uzbekistani, ndërsa Hungaria, Turkmenistani dhe Republika Turke e Qipros Veriore kanë statusin e vëzhguesit.

TRT Balkan / agjencitë